Bota

Zelenskyy kërkon më shumë mbështetje nga BE-ja kundër Rusisë

Presidenti ukrainas, Zelenskyy tha se për shkak të mbylljes së Detit të Zi nga Rusia, drithi nuk mund të nxirret jashtë Ukrainës dhe në këtë mënyrë Moska ka marrë peng Afrikën dhe Azinë

Aşkın Kıyağan  | 01.07.2022 - Përdıtësım : 03.07.2022
Zelenskyy kërkon më shumë mbështetje nga BE-ja kundër Rusisë

Vjenë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy përmes video-konferencës mori pjesë në një festival të organizuar në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, dhe bëri thirrje që të jepet më shumë mbështetje ndaj paketës së 7-të të sanksioneve të përgatitur nga Bashkimi Evropian (BE) kundër Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij në festivalin "4 Gamechager", Zelenskyy tha se për shkak të mbylljes së Detit të Zi nga Rusia, drithi nuk mund të nxirret jashtë Ukrainës dhe në këtë mënyrë Moska ka marrë peng Afrikën dhe Azinë.

Zelenskyy mbrojti idenë e tij se nëse Evropa nuk kalon në veprim kundër kërcënimit të urisë, kjo do të shkaktojë lëvizje serioze të migracionit dhe në këtë drejtim, Rusia ka marrë peng edhe Evropën.

Duke folur për armët që kanë kërkuar në çdo rast nga vendet evropiane, Zelenskyy tha: "(Presidenti i Rusisë Vladimir) Putin nuk dëshiron të krijojë dialog dhe kupton vetëm me gjuhën e armëve. Këto armë i përdorim në rajonet që rusët duan të marrin nën kontroll".

"Putinit i kam propozuar që të gjitha çështjet t'i zgjidhë në tryezën e negociatave si njerëz të civilizuar. Deri më tani ai ka lëshuar raketa, në vend që të bisedojë me ne", shtoi më tej ai.

Pasi vuri theksin se Rusia duhet të japë llogari për ato që ka bërë, presidenti ukrainas bëri thirrje që Austria të japë mbështetje më të fuqishme për paketën e 7-të të sanksioneve të përgatitur nga BE-ja.

Zelenskyy tha se lufta ka shkaktuar forcimin e unitetit brenda BE-së ndërsa pas luftës edhe vendi i tij do të jetë vend anëtar në familjen evropiane.

Ndërkohë presidenti austriak Alexander Van der Bellen dhe kryeministri Karl Nehammer të cilët morën pjesë në festival thanë se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.