Zelenskyy: Dokumenti i garancive të sigurisë, thelbësisht gati për finalizim me Trumpin
"Dokumenti dypalësh mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën tani është në thelb gati për finalizim në nivelin më të lartë me presidentin amerikan", tha presidenti ukrainas, Zelenskyy
Stamboll
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se një dokument dypalësh mbi garancitë e sigurisë është "thelbësisht gati" për t'u finalizuar në nivelin më të lartë me presidentin e SHBA-së Donald Trump pas negociatave në Francë, transmeton Anadolu.
"Dokumenti dypalësh mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën tani është në thelb gati për finalizim në nivelin më të lartë me presidentin amerikan", tha sot Zelenskyy në një deklaratë në Telegram.
Ai thekson se kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov raportoi mbi rezultatin e negociatave në Francë, duke shtuar se Kievi po bashkon me sukses përpjekjet e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.
Në bisedimet për dokumentet u potencua rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik si dhe çështje komplekse lidhur me kornizën bazë për përfundimin e luftës, për të cilën pala ukrainase paraqiti opsione të mundshme për finalizimin e dokumentit, sipas presidentit.
"Ne e kuptojmë që pala amerikane do të angazhohet me Rusinë dhe presim reagime nëse agresori është vërtet i gatshëm t'i japë fund luftës", tha presidenti ukrainas.
"Ne po i informojmë partnerët tanë për pasojat e sulmeve të Rusisë, të cilat qartë nuk tregojnë se Moska po rishqyrton prioritetet e saj. Në këtë kontekst, është e nevojshme që presioni mbi Rusinë të vazhdojë të rritet me të njëjtin intensitet si puna e ekipeve tona negociuese", shtoi Zelenskyy.
"Fizibiliteti i garancive të sigurisë në të ardhmen duhet të provohet nga aftësia e partnerëve tanë për të ushtruar presion efektiv mbi agresorin në këtë fazë", tha ai.
