Bota

Zarif: Irani do të bashkëpunojë me BE-në për të "ruajtur" marrëveshjen bërthamore

Kryediplomati iranian theksoi se SHBA ka paralajmëruar luftë ekonomike kundër Iranit dhe se kjo luftë është e rrezikshme për rajonin, botën dhe rendin ndërkombëtar

Ali H. M.Abo Rezeg  | 10.06.2019 - Përdıtësım : 11.06.2019
Zarif: Irani do të bashkëpunojë me BE-në për të "ruajtur" marrëveshjen bërthamore ( Fatemeh Bahrami - Anadolu Agency )

Teheran

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Javad Zarif, ka deklaruar se vendi i tij do të bashkëpunojë me vendet evropiane për të "ruajtur" marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zarif zhvilloi bisedime në Teheran me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, i cili nga dita e djeshme qëndron për vizitë në kryeqytetin iranian, si pjesë e një turneu rajonal.

Duke i përshkruar bisedimet e tij me kryediplomatin gjerman "të sinqerta dhe serioze", Zarif tha se Irani do të bashkëpunojë me vendet e Bashkimit Evropian (BE) nënshkruese të marrëveshjes bërthamore për të "ruajtur" atë.

"Objektivi ynë i përbashkët i Iranit, Gjermanisë dhe BE-së është ruajtja e JCPOA-së dhe parandalimi i tensioneve në rajon, si dhe dobia e kombit iranian nga avantazhet e JCPOA-së", tha Zarif në deklaratat e cituara nga agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Mehr.

Kryediplomati iranian theksoi se SHBA ka paralajmëruar luftë ekonomike kundër Iranit dhe se kjo luftë është e rrezikshme për rajonin, botën dhe rendin ndërkombëtar.

"Sipas mendimit tonë, SHBA ka shënjestruar kombin iranian, ata që duhej të përfitonin më shumë nga arritjet e JCPOA-së", u shpreh Zarif.

Maas, nga ana e tij, tha se Gjermania, Britania dhe Franca përmbahen në detyrimet e tyre sipas marrëveshjes bërthamore me Iranin, duke bërë thirrje për vazhdimin e dialogut me Teheranin.

Në kuadër të turneut të tij aktual, kryediplomati gjerman vizitoi Irakun dhe Jordaninë. Siç është planifikuar, ai po ashtu do të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit janë rritur që kur presidenti amerikan, Donald Trump, në mënyrë të njëanshme tërhoqi Washingtonin nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 me Teheranin për frenuar programin e tij bërthamor.

Administrata e presidentit amerikan vazhdoi të ndjekë disa veprime që synonin fundosjen e marrëveshjes, duke përfshirë ri-imponimin e sanskioneve të SHBA-ve mbi naftën iraniane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.