Xhaxhai i heroit që ndërhyri ndaj sulmuesit në Australi: Ahmedi "i bëri të gjithë sirianët dhe myslimanët krenarë"
“Ahmedi veproi me guxim për të shpëtuar viktimat, pavarësisht kombësisë së tyre, qoftshin hebrenj, izraelitë apo kushdo tjetër”, tha Muhamed Ahmed al-Ahmed.
Stamboll
Kur Ahmed al-Ahmed vrapoi dhe ia rrëmbeu armën një sulmuesi në plazhin Bondi në Sidnej, ai po mendonte vetëm për shpëtimin e viktimave, “pavarësisht nëse janë hebrenj, izraelitë apo kushdo tjetër”, tha xhaxhai i tij.
“Ishte një akt guximi nga nipi im”, tha për Anadolu në një intervistë ekskluzive Muhamed Ahmed al-Ahmed.
“Ai menjëherë e çarmatosi sulmuesin me qëllim që të parandalojë humbjen e jetëve. Është një ndjenjë e papërshkrueshme”, tha ai.
“Ahmed ishte i guximshëm — burrë i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës”, shtoi ai.
Ahmedi, 43 vjeç, baba i dy vajzave, rrezikoi jetën duke u përballur me një nga sulmuesit, duke ia marrë armën dhe duke e detyruar të dorëzohej. Ai u qëllua disa herë dhe pësoi plagë nga armë zjarri në krah dhe shpatull.
“Ahmedi është burim krenarie për ne. Ai i bëri të gjithë sirianët dhe myslimanët krenarë”, tha xhaxhai i tij.
Të paktën 16 persona, përfshirë një nga sulmuesit, u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën në sulmin e së dielës, që ndodhi gjatë një aktiviteti për festimin e festës hebraike Hanuka. Numri i viktimave mund të kishte qenë më i lartë po të mos ishte ndërhyrja e Ahmedit.
Ahmedi u përshëndet si “hero” nga zyrtarë australianë, përfshirë kryeministrin Anthony Albanese, si dhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Sot pamë australianë që vrapuan drejt rrezikut për të ndihmuar të tjerët”, tha Albanese. “Këta australianë janë heronj dhe guximi i tyre ka shpëtuar jetë”, shtoi ai.
Edhe Trump e lavdëroi australiano-sirianin, duke thënë se ka “respekt të madh” për të.
“Ishte një person jashtëzakonisht i guximshëm që u përball drejtpërdrejt me një nga sulmuesit dhe shpëtoi shumë jetë”, deklaroi ai.
- Nga Idlibi në Australi
Xhaxhai i Ahmedit tha se familja është me origjinë nga fshati Al-Nayrab në provincën veriperëndimore siriane Idlib.
Heroi australiano-sirian ka lindur në vitin 1981 dhe ka studiuar në Universitetin e Halepit, ku ka marrë diplomë universitare, para se të udhëtonte drejt Australisë në vitin 2007 dhe të vendosej në Sidnej.
Fillimisht punoi në ndërtimtari, përpara se të hapte një market perimesh.
Sipas xhaxhait, familja ka marrë telefonata “nga kudo, nga afër dhe larg”, sapo u përhap lajmi për veprimin e nipit të tij ndaj njërit prej sulmuesve.
Një gazetar i Anadolus vizitoi shtëpinë e Ahmedit në zonën e Idlibit. Ndërtesa dykatëshe duket e braktisur dhe e shkatërruar nga lufta civile nën regjimin e mëparshëm të Bashar al-Asadit.
Shkatërrime vërehen edhe në ndërtesat përreth, banorët e të cilave u zhvendosën nga regjimi i Asadit.
Gjatë intervistës, xhaxhai i Ahmedit tregoi për Anadolu një video në telefonin e tij, ku nipi shfaqej i shtrirë në shtratin e spitalit, me shenja lodhjeje në fytyrë për shkak të plagëve.
“Ahmedi veproi me guxim për të shpëtuar viktimat, pavarësisht kombësisë së tyre, qoftshin hebrenj, izraelitë apo kushdo tjetër”.
Në një intervistë të veçantë në Sidnej, Ahmedi falënderoi të gjithë ata që e mbështetën dhe kërkoi lutje.
“Pasha Allahun, kam kaluar një periudhë shumë të vështirë — vetëm Allahu e di”, tha ai, duke i kërkuar nënës së tij të lutej për të dhe duke shprehur shpresën që plagët e tij të jenë të lehta.
“Ju jeni në zemrën time”, shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
