WSJ: SHBA propozon rikthimin e rrjedhës së energjisë ruse sipas planit të saj të paqes në Ukrainë
"Wall Street Journal" thotë se plani parashikon përdorimin e aseteve të ngrira ruse për rindërtim, duke u dhënë kompanive amerikane akses në sektorët kyç rusë
Istanbul
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar rikthimin e rrjedhave të energjisë ruse si pjesë e një plani më të gjerë për rindërtimin e Ukrainës dhe riintegrimin e Rusisë në ekonominë globale, shkroi të mërkurën "The Wall Street Journal", transmeton Anadolu.
Sipas raportimit, këto plane janë paraqitur në anekse të bashkangjitura propozimeve për paqe që u janë dorëzuar palëve evropiane javët e fundit.
Propozimet parashikojnë që kompanitë amerikane të kenë akses në rreth 200 miliardë dollarë fonde të ngrira shtetërore ruse për të financuar projekte në Ukrainë, përfshirë një qendër të madhe të dhënash që do të funksiononte me energji nga centrali bërthamor i Zaporizhias, i kontrolluar nga Rusia.
Korniza gjithashtu parasheh që kompanitë amerikane të futen në sektorë kyç të Rusisë, si minierat e metaleve të rralla dhe eksplorimet e naftës në Arktik ndërsa do të rihapeshin furnizimet e energjisë ruse drejt Evropës Perëndimore dhe tregjeve globale.
Disa zyrtarë evropianë që kanë parë dokumentet kanë shprehur dyshime mbi seriozitetin e propozimeve, me një prej tyre që i ka krahasuar ato me sugjerimin e mëparshëm të presidentit amerikan Trump për ta kthyer Gazën në një lloj resorti të stilit rivierë.
Një tjetër zyrtar evropian i ka krahasuar marrëveshjet e propozuara energjetike SHBA-Rusi me një marrëveshje ekonomike "në stilin e Jaltës". Gazeta amerikane shtoi se zyrtarët evropianë duan t'i përdorin asetet e ngrira ruse në Evropë për t'i dhënë Ukrainës hua për armë thelbësore dhe për funksionimin e qeverisë.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se plani amerikan rrezikon ta anashkalojë strategjinë e Evropës për të mbështetur Ukrainën dhe për ta mbajtur Rusinë të izoluar ekonomikisht, duke shkaktuar një nxitim në kryeqytetet evropiane për të vepruar para se Washingtoni të vendosë kushtet.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se plani evropian do t'i shteronte asetet e ngrira ruse ndërsa qasja amerikane do të përfshinte investitorë të mëdhenj amerikanë për të rritur fondin, duke e çuar potencialisht në rreth 800 miliardë dollarë.
