Witkoff dhe Kushner zhvilluan rreth 5 orë bisedime me Putinin në Moskë për planin e rishikuar të paqes në Ukrainë
Ndihmësi presidencial rus, Yuri Ushakov, tha se presidenti Putin i tha palës amerikane se Rusia “mund të bjerë dakord me disa aspekte të planit amerikan, por të tjerat u kritikuan”
Washington DC
Një takim i nivelit të lartë në Moskë midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarve të presidentit amerikan, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, përfundoi pas rreth pesë orësh, transmeton Anadolu.
Siç raportojnë mediat ruse, në bisedime morën pjesë edhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë.
Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinin, i cili mori pjesë në diskutime, e përshkroi takimin si “produktiv” në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X, ku ai ndau një fotografi nga brenda bisedimeve në Kremlin.
Ndihmësi presidencial rus, Yuri Ushakov, tha se bisedimet ishin “konstruktive, shumë të dobishme dhe informuese”, si dhe shtoi se diskutimet mbuluan “tërësisht” një zgjidhje të mundshme gjatë pesë orëve.
Ushakov theksoi se teksa “ende nuk ka një plan kompromisi për Ukrainën”, Moska i gjeti disa propozime amerikane të pranueshme, ndërsa disa të tjera jo.
Ai tha se presidenti Putin i tha palës amerikane se Rusia “mund të bjerë dakord me disa aspekte të planit amerikan, por të tjerat u kritikuan”.
Ai po ashtu tha se Moska ka pranuar “katër dokumente të tjera” përveç propozimit origjinal prej 28 pikash të presidentit amerikan Donald Trump dhe se çështja territoriale është pjesë e bisedimeve.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë prononcim nga pala amerikane.
Faqja e lajmeve Axios raportoi se Witkoff dhe Kushner pritet të informojnë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nesër në Evropë në lidhje me diskutimet.
Plani i SHBA-së, fillimisht me 28 pika, u reduktua gjatë diskutimeve të fundit me Kievin, duke u përqendruar kryesisht në përcaktimin e një kufiri “de facto” sipas një armëpushimi të mundshëm.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
