Witkoff dhe Kushner mbërrijnë në Egjipt për bisedime për armëpushimin në Gaza
Hamasi dhe Izraeli vazhdojnë bisedimet indirekte në Sharm El-Sheikh për të arritur armëpushim dhe marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve sipas planit të Trumpit

Stamboll
I dërguari i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, mbërritën në Egjipt herët të mërkurën për t'u bashkuar me bisedimet për armëpushim në Gaza, transmeton Anadolu.
"I dërguari i Presidentit Trump, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner mbërritën në Sharm el-Sheikh të mërkurën në mëngjes për t'u bashkuar me negociatat mbi marrëveshjen për lirimin e pengjeve të mbetura të mbajtura nga Hamasi dhe përfundimin e luftës në Gaza që tani ka kaluar kufirin dyvjeçar", tha portali amerikan i lajmeve Axios.
Të martën, Trump u takua me ekipin e tij të lartë të sigurisë kombëtare për të diskutuar progresin e negociatave për Gazën përpara se Witkoff dhe Kushner të niseshin për në Egjipt, tha faqja e internetit.
Sipas lajmit, zyrtarë të lartë amerikanë shprehën optimizëm në lidhje me shanset për të arritur një marrëveshje këtë javë dhe theksuan se Kushner dhe Witkoff nuk do të largohen nga Egjipti pa një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, do të shkojë në Sharm El-Sheikh më vonë gjatë ditës për të marrë pjesë në negociata.
Më 29 shtator, Trump shfaqi një propozim me 20 pika që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës. Hamasi ra dakord me planin në parim.
Ushtria izraelite ka vrarë në Gaza më shumë se 67.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit 2023. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.