WFP: Njerëzit në Gaza janë të shqetësuar për kushtet e dimrit
"Njerëzit në Gaza janë të shqetësuar për kushtet e dimrit. Mundësia e kushteve më të ashpra të motit në muajt e ardhshëm është shqetësim për banorët e Gazës", tha Martin Penner
Gjenevë
Zëdhënësi i Lartë dhe njëherësh drejtor i Komunikimit për Programin Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së në Palestinë, Martin Penner tha se njerëzit në Gaza janë të shqetësuar për kushtet e dimrit, ndërsa vuri në dukje se mundësia e kushteve më të ashpra të motit në muajt e ardhshëm është shqetësim për banorët e Gazës, transmeton Anadolu.
Penner dhe zyrtarja e Lartë Rajonale e Komunikimit dhe zëdhënëse e WFP-së për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Evropën Lindore, Abeer Etefa, morën pjesë përmes internetit dhe bënë vlerësimet e tyre në konferencën javore për mediat nga Zyra e OKB-së në Gjenevë.
"Pasiguria, gëzimi dhe lehtësimi i përjetuar kur u shpall armëpushimi në Gaza tani u zëvendësua nga shqetësimet lidhur me realitetin konkret dhe praktik të jetës", tha Penner, i cili thekson rëndësinë e ruajtjes së armëpushimit.
Ai tha se kushtet e ashpra të dimrit kanë filluar në Gaza."Njerëzit janë të shqetësuar për kushtet e dimrit. Shirat e rrëmbyeshëm që ranë në fillim të kësaj jave ishin kujtesë se sa e vështirë është për shumë familje të durojnë. Shtretërit dhe sendet personale janë të lagura për shkak të motit", tha Penner duke shtuar se:
"Ushqimet dhe depot përmbyten ose prishen. Kjo situatë i ka përqendruar mendjet e tyre në dimrin që po afron dhe kushtet e ashpra të motit që do të duhet të durohen në muajt në vijim", shtoi ai.
Lidhur me situatën aktuale në Gaza, ai tha se është më e mirë se para armëpushimit, por se ka ende shumë punë për të bërë. Penner potencon rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për të ndihmuar familjet të rindërtojnë shëndetin, ushqimin dhe jetesën e tyre.
- "Ne kemi nevojë për qasje të plotë në të gjitha kalimet dhe rrugët që çojnë në Gaza"
Etefa vuri në dukje se vështirësitë dhe sfidat logjistike me të cilat përballen banorët e Gazës vazhdojnë.
"Dëmtimi i infrastrukturës gjatë konfliktit ka ndikuar rëndë në ruajtjen dhe kapacitetin e magazinimit", tha Etefa e cila shtoi se kjo është sfidë për operacionet e tyre.
"Ne kemi nevojë për qasje të plotë në të gjitha kalimet dhe rrugët që çojnë në Gaza", tha Etefa.
