Bota

Wagner pretendon: Flamuri rus "valon" mbi ndërtesën e administratës në Bakhmut

Kreu i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak u bëri thirrje njerëzve të reagojnë "me qetësi" ndaj "lajmeve të rreme të atyre që shpikin 'fitore', të cilat në realitet nuk ekzistojnë"

Burç Eruygur  | 03.04.2023 - Përdıtësım : 04.04.2023
Wagner pretendon: Flamuri rus "valon" mbi ndërtesën e administratës në Bakhmut

Istanbul

Kreu i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin pretendon se forcat e tij kanë "ngritur" flamurin rus mbi ndërtesën e administratës së qytetit Bakhmut, raporton Anadolu.

"2 prill 2023, ora 23:00 ne ngritëm flamurin rus me mbishkrimin 'Në përkujtim të Vladlen Tatarsky' dhe flamurin e PMC 'Wagner' në administratën e qytetit Bakhmut. Nga pikëpamja juridike Bakhmuti është marrë. Armiku është i përqendruar në rajonet perëndimore", deklaroi Prigozhin në një audio-deklaratë në Telegram të dielën vonë.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës përmes një deklarate herët të hënën tha se forcat ruse janë përpjekur të sulmojnë Bakhmutin ndërsa forcat ukrainase në rajon kanë zmbrapsur më shumë se 20 sulme, përfshirë në drejtim të fshatit Ivanivske.

"Nga bombardimet e armikut janë prekur Vasyukivka, Orikhovo-Vasylivka, Novomarkove, Kostiantynivka, Hryhorivka, Bohdanivka, Bakhmut, Ivanivske, Chasiv Yar, Zalizne dhe Niu (New) York të rajonit të Donetsk", thuhet më tej në deklaratë.

Në deklaratën e mëvonshme të Andriy Yermak, kreu i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, u bëri thirrje njerëzve të reagojnë "me qetësi" ndaj "lajmeve të rreme të atyre që shpikin 'fitore', të cilat në realitet nuk ekzistojnë".

Nga ana tjetër, në një fjalim në mbrëmje të dielën vonë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha se është mirënjohës për ushtarët që luftojnë në rajonin e Donetskut, veçanërisht pranë Bakhmutit, ku ai tha se luftimet janë "veçanërisht të ashpra".

Të mërkurën e kaluar, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se forcat ruse vazhduan sulmet e tyre në drejtim të Bakhmutit me "sukses të pjesshëm".

Më herët gjatë ditës, Prigozhin pretendoi se beteja për qytetin e Bakhmutit "pothuajse shkatërroi ushtrinë ukrainase".

Forcat ruse janë përpjekur për muaj të tërë të marrin Bakhmutin, një qendër transporti dhe logjistike në Donetsk të Ukrainës, e cila është pjesë e rajonit të industrializuar kryesisht rusisht-folës të Donbasit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.