Vriten 9 palestinezë në sulmet e reja izraelite në qytetin e Gazës dhe Khan Younis
Ushtria izraelite shënjestroi shtëpi dhe tenda që strehonin civilë të zhvendosur në Rripin e Gazës
Istanbul
Të paktën 9 palestinezë të tjerë u vranë nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës mëngjesin e sotëm, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve mjekësore nga spitali "Nasser", 5 trupa u transferuan në spital, së bashku me disa persona të tjerë të plagosur, pasi një sulm izraelit shënjestroi një tendë që strehonte civilë të zhvendosur në Al-Mawasi, Khan Younis, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve WAFA.
Katër persona të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm izraelit në një shtëpi në lagjen Zeitoun, në juglindje të qytetit të Gazës, thanë mjekët nga spitali Baptist "Al-Ahli".
Izraeli po përballet me dënime në rritje për luftën e tij gjenocidale në Gaza, ku ka vrarë gati 61.500 palestinezë që nga tetori i vitit 2023.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.
