Bota

Vriten 2 të rinj palestinezë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor

Një 19-vjeçar u qëllua për vdekje nga një kolon i paligjshëm izraelit pranë qytetit të Khalilit dhe një 17-vjeçar u vra nga ushtria izraelite gjatë bastisjes në Nablus

Mohammad Sıo  | 03.11.2025 - Përdıtësım : 03.11.2025
Vriten 2 të rinj palestinezë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor

Istanbul

Dy palestinezë të rinj u vranë sot në mëngjes në një sulm të kolonëve të paligjshëm izraelitë dhe nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Ahmed Rubhi al-Atrash, 19-vjeç, u qëllua në kokë nga afër nga një kolon i paligjshëm në hyrjen veriore të Khalilit (Hebron), raportoi agjencia e lajmeve WAF. Forcat izraelite i penguan paramedikët e Gjysmëhënës së Kuqe të arrinin tek Al-Atrash, i cili mbeti i gjakosur në tokë derisa vdiq, thanë dëshmitarët për agjencinë.

Trupi i tij u mor më vonë pasi familja e tij u thirr për ta identifikuar atë.

Në një incident tjetër, Ministria e Shëndetësisë tha se 17-vjeçari Jamil Atef Hannani vdiq nga plagët kritike që mori të dielën në mbrëmje kur ushtarët izraelitë hapën zjarr gjatë një inkursioni ushtarak në Beit Furik, në lindje të Nablusit.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ai u qëllua në gjoks me plumb të vërtetë dhe u transferua në spitalin qeveritar "Rafidia", ku u shpall i vdekur. Sulmet izraelite janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë më shumë se 1.063 palestinezë dhe duke plagosur 10.300 të tjerë, sipas shifrave palestineze.

Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın