Vriten 19 palestinezë nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës
- Ushtria izraelite shënjestroi shkollën e shndërruar në strehimore.

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Të paktën 19 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga ushtria izraelite mëngjesin e sotëm në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Agjencia zyrtare e lajmeve "Wafa" raportoi se ushtria izraelite shënjestroi një shtëpi në qytetin perëndimor të Gazës, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 20 të tjerë.
Pesë palestinezë të tjerë u vranë nga një sulm me dron izraelit në një shkollë të shndërruar në strehë në lagjen Sheikh Radwan në veri të qytetit të Gazës. Trupat dhe palestinezët e plagosur u transferuan në spitalin "Al-Shifa" në të njëjtin qytet.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS) konfirmoi se tre persona u vranë dhe të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite pranë korridorit Netzarim në Rripin qendror të Gazës.
Sulmet izraelite shënjestruan një tendë që strehonte palestinezë të zhvendosur në zonën Al-Mawasi në qytetin Khan Younis në jug të enklavës, ku u vranë pesë persona dhe u plagosën disa të tjerë, tha PRCS.
Ushtria izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndërmarrë ofensivë brutale kundër Rripit të Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 56 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.