Von der Leyen: BE-ja ra dakord të ndërpresë lidhjet energjetike me Rusinë
"Ky është agimi i një epoke të re, epoka e pavarësisë së plotë energjetike të Evropës nga Rusia. Shumë besojnë se kjo do të ishte e pamundur", tha presidentja e KE-së, Von der Leyen
Bruksel
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se sot është "ditë historike" për Bashkimin Evropian, pasi negociatorët arritën marrëveshje të përkohshme për të ndaluar importet e gazit rus dhe për të hequr plotësisht lëndët djegëse fosile ruse, duke shtuar se Evropa po "e kthen atë faqe dhe po e kthen atë përgjithmonë", transmeton Anadolu.
"Ky është agimi i një epoke të re, epoka e pavarësisë së plotë energjetike të Evropës nga Rusia. Shumë besojnë se kjo do të ishte e pamundur", u tha Von der Leyen gazetarëve në Bruksel, duke theksuar se marrëveshja shënon fundin e varësisë së energjisë nga Moska për dekada të tëra.
Sipas KE-së, importet e gazit rus nga BE-ja si LNG ashtu edhe tubacionet, kanë rënë nga 45 për qind në fillim të luftës në Ukrainë në 13 për qind sot. Importet e qymyrit kanë rënë nga 51 për qind në zero ndërsa importet e naftës bruto kanë rënë nga 26 për qind në 2 për qind.
Von der Leyen tha se përpjekjet e përbashkëta në kuadër të REPowerEU ndihmuan bllokun "të kapërcejë krizën më të keqe energjetike në dekada", duke shtuar se BE-ja diversifikoi furnizuesit, nënshkroi partneritete të reja energjetike dhe përshpejtoi investimet në burime të rinovueshme dhe energji bërthamore.
"Sot, gjysma e energjisë elektrike vjen nga burimet e rinovueshme dhe nëse shikoni energjinë me karbon të ulët, siç është energjia bërthamore dhe energjia e rinovueshme, është 74 për qind dhe ky është vetëm fillimi", tha ajo.
Presidentja e KE-së nënvizoi se ulja e importeve të energjisë ruse ka ulur ndjeshëm të ardhurat e Moskës që përdoren për të financuar luftën e saj kundër Ukrainës. "Pagesat për lëndët djegëse fosile ruse ranë nga 12 miliardë euro në muaj në fillim të luftës, në 1.5 miliardë euro sot. Ende shumë. Ne synojmë ta ulim në zero", shtoi ajo.
Von der Leyen tha se BE-ja vazhdon të mbështesë sistemin elektrik të Ukrainës, duke furnizuar mbi 16 mijë gjeneratorë dhe transformatorë dhe duke furnizuar më shumë se 2 gigavatë energji në rrjetin ukrainas.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol e përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se Evropa po "vendos një vijë nën një sagë që filloi mbi gjysmë shekulli", gjatë së cilës Rusia u rrit për t'u bërë furnizuesi dominues i energjisë në kontinent.
Duke lavdëruar përhapjen e shpejtë të energjisë së pastër në Evropë, Birol tha se prodhimi i energjisë së rinovueshme është rritur me 40 për qind në tre vitet e fundit, duke e përshkruar atë si "rritje të pabesueshme". Ai shtoi se disa vende të BE-së rishqyrtuan planet e mëparshme të heqjes graduale të energjisë bërthamore.
BE-ja do të ndalojë në mënyrë efektive dhe të përhershme importin e gazit rus dhe do të shkojë drejt heqjes graduale të naftës ruse sipas marrëveshjes së përkohshme politike të arritur nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, thuhet më tej.
Blloku mbetet i angazhuar për të siguruar heqjen graduale të të gjitha, importeve të mbetura nga Rusia deri në fund të vitit 2027. Marrëveshja siguron një fund "gradual, por të përhershëm" të gazit rus, me importet e LNG-së të hequra graduale deri më 31 dhjetor 2026 dhe gazsjellësit deri në shtator 2027.
