Bota

Vogëlushja palestineze që humbi krahët në sulmet izraelite përpiqet të mbijetojë me këmbët e saj

"Jam mësuar të jetoj me aftësinë time të kufizuar, por dua të kem krahë protezë dhe të jetoj një jetë normale si fëmijët e tjerë", u shpreh vajza palestineze, Sara al-Bersh

Hosni Nedim, Safiye Karabacak  | 07.05.2025 - Përdıtësım : 08.05.2025
Vogëlushja palestineze që humbi krahët në sulmet izraelite përpiqet të mbijetojë me këmbët e saj

Gaza

Palestinezja 10-vjeçare Sara al-Bersh, e cila humbi nënën, babanë dhe krahët e saj në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, përpiqet të mbijetojë me këmbët e saj, raporton Anadolu.

Pavarësisht gjithë dhimbjes dhe humbjeve të saj, Sara e vogël përpiqet t’i menaxhojë vetë detyrat e saj të përditshme. Ajo vizaton dhe shkruan me këmbët e saj. Sara vazhdon stërvitjen çdo ditë për të mësuar se si të përdorë këmbët në vend të krahëve, ndërkohë përpiqet të vazhdojë rutinën si fëmijët e tjerë brenda mundësive të saj.

Vogëlushja palestineze ëndërron të shkojë jashtë vendit për të vendosur një këmbë protezë, të vizitojë xhaxhain e saj në Türkiye, të bëjë një turne botëror dhe të jetojë në paqe si fëmijët e tjerë anembanë botës.

Ajo i tregoi gazetarit të AA-së përvojat e saj, ndërsa bën të ditur se po qëndron në shtëpinë e një të afërmi në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës.

Sara thotë se migruan nga shtëpia e tyre në Jabalia në lagjen Sheikh Radwan në Gaza. "Babai im po ecte dhe unë po pedaloja biçikletën pranë tij. Papritmas, avionët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi pranë së cilës po kalonim. Nëna dhe babai im u martirizuan në vendngjarje. Unë u plagosa në bërryla në të dy krahët. Kur gjendja ime u përkeqësua, mjekët u detyruan të më amputonin krahët mbi bërryl", tha ajo.


- "Dua të jetoj një jetë normale si fëmijët e tjerë"

Sara përpiqet të mbijetojë pavarësisht humbjeve të saj. "Jam mësuar të jetoj me aftësinë time të kufizuar, por dua të kem krahë protezë dhe të jetoj një jetë normale si fëmijët e tjerë", u shpreh vajza palestineze.

Duke rikujtuar pianon të cilën iu desh ta linte pas kur ajo dhe familja e saj u detyruan të emigronin, Sara tha: "Kisha një piano dhe po mësoja të luaja, por kur u zhvendosëm, pianoja mbeti në shtëpi. Do të doja të kthehesha dhe ta luaja përsëri dhe të haja mollë, por tani nuk ka më mollë, as ushqim, as fruta sepse kufijtë janë të mbyllur".

Mijëra palestinezë, kryesisht fëmijë të cilët kanë humbur gjymtyrë në Rripin e Gazës ku Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese që nga 7 tetori 2023, nuk kanë mundësi të kenë akses në proteza të përparuara për shkak të mungesës së pajisjeve dhe automjeteve mjekësore.

Përfaqësuesi për media dhe marrëdhënieve me publikun në Qendrën e Gjymtyrëve Artificiale dhe Paralizës së Bashkisë së Gazës, Hosni Mahna ka ndarë informacionin e tij se "Si rezultat i sulmeve të vazhdueshme të Izraelit, deri më tani janë regjistruar afërsisht 4.700 humbje të gjymtyrëve në të gjitha qytetet në Rripin e Gazës".


- Ushtria izraelite rifilloi sulmet e dhunshme në Gaza pas shkeljes së armëpushimit

Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit.

Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 2.545 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën dhe 6.856 persona janë plagosur.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 52.653, ndërsa numri i të plagosurve në 118.897.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın