Viktimat në avionin e rrëzuar në Maltë janë francezë
Kryeministri i Maltës Joseph Muscat, duke i shpalosur detajet e aksidentit në rrjetin social Twitter, ka theksuar se viktimat e aksidentit janë zyrtarë francezë
Romë
ROMË (AA) – Bëhet e ditur se pesë personat që humbën jetën në avionin që u rrëzua në Maltë mëngjesin e sotëm pak pas ngritjes janë francezë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në lidhje me avionin me dy helika me kodin “N577MX” i cili u ngrit në orën 07:20 sipas kohës lokale nga Aeroporti Ndërkombëtar Luqa në Maltë për të udhëtuar drejt qytetit Misrata të Libisë, i cili u rrëzua pak pas ngritjes me deklaratë doli edhe kryeministri i vendit.
Kryeministri i Maltës Joseph Muscat, duke i shpalosur detajet e aksidentit në rrjetin social Twitter, ka theksuar se viktimat e aksidentit ishin zyrtarë francezë që po shkonin në Libi në kuadër të detyrës për parandalimin e trafikimit me njerëz në këtë vend. Muscat është shprehur se të vdekurit ishin piloti dhe zyrtarë për monitorim doganor.
Duke u bazuar në të njëjtën kohë në deklaratat e dëshmitarëve okularë, Muscat ka vënë në pah se para rrëzimit të avionit nuk ka pasur asnjë shpërthim.
Nga ana tjeter, ministri i Jashtëm i Maltës George Vella lidhur me aksidentin për gazetën Malta Today deklaroi se nuk është hasur në asnjë gjurmë sabotimi.
Aeroporti Ndërkombëtar Luqa i cili u mbyll pas aksidentit deri në një urdhër të dytë, u rihap për linja në orën 11:30 sipas kohës lokale. Mësohet se në linjat në këtë hapësirë ajrore ka pasur anulime dhe vonesa.
Ndërkaq, nga burimet u përgënjeshtruan lajmet se në avion gjendeshin zyrtarë të Agjencisë për Bashkëpunim Operativ për Menaxhimin e Kufijve të Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (FRONTEX) apo zyrtarë të BE-së.
Nga FRONTEX-i deklaruan se avioni nuk ishte i tyre, ndërkohë që Përfaqësuesje e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini bëri të ditur se personat që gjendeshin në avion nuk kishin lidhje me asnjë mision të BE-së.
