Politikë, Bota

Venezuela zotohet se do të arrestojë kandidatin e opozitës nëse ai kthehet në vend

Ministri i Brendshëm, Cabello tha se ish-kandidati presidencial i opozitës, Gonzalez do të dërgohet në paraburgim sapo të shkelë në Venezuelë

Alperen Aktaş  | 29.11.2024 - Përdıtësım : 29.11.2024
Venezuela zotohet se do të arrestojë kandidatin e opozitës nëse ai kthehet në vend

Istanbul

Ministri i Punëve të Brendshme të Venezuelës, Diosdado Cabello ka bërë të ditur se ish-kandidati presidencial i opozitës, Edmundo Gonzalez, i cili u largua në mërgim pasi iu dha azil në Spanjë, do të arrestohet nëse kthehet në Venezuelë, transmeton Anadolu.

Duke folur për kanalin shtetëror "VTV", Cabello tha se Gonzalez do të dërgohet në paraburgim sapo të shkelë në Venezuelë. Ai tha se nuk ka mundësi që ai të vijë në Venezuelë që të marrë detyrat në zyrë.

Cabello përsëriti se presidenti Nicolas Maduro fitoi zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut dhe se ai më 10 janar të vitit 2025 do të betohet për një mandat të tretë përpara Asamblesë Kombëtare.

Duke folur për agjencinë spanjolle të lajmeve "EFE", Gonzalez tha se ai dëshiron të bëjë betimin për president të Venezuelës dhe se ai është i përgatitur për mundësinë e arrestimit të tij.

Sipas rezultateve të shpallura nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor më 29 korrik, Maduro fitoi zgjedhjet presidenciale për herë të tretë duke siguruar 51.2 për qind të votave.

Gonzalez dhe liderja opozitare, Maria Corina Machado, nuk i pranuan rezultatet zgjedhore.

Pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij, Gonzalez dhe gruaja e tij më 8 shtator me një avion të Forcave Ajrore Spanjolle ikën jashtë vendit nga kryeqyteti Karakas drejt Madridit të Spanjës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.