Bota

Venezuela pezullon marrëveshjet energjetike me Trinidadin për shkak të ankorimit të anijes luftarake amerikane në ishull

Venezuela njoftoi pezullimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit energjetik me Trinidad dhe Tobagon, duke akuzuar vendin ishullor të Karaibeve për ndërmarrjen e veprimeve "armiqësore"

Seyit Şamil Kurt  | 28.10.2025 - Përdıtësım : 28.10.2025
Venezuela pezullon marrëveshjet energjetike me Trinidadin për shkak të ankorimit të anijes luftarake amerikane në ishull

Stamboll

Venezuela njoftoi të hënën pezullimin e marrëveshjeve të saj të bashkëpunimit energjetik me Trinidad dhe Tobagon, duke akuzuar vendin ishullor të Karaibeve për ndërmarrjen e veprimeve "armiqësore" pas mbërritjes së një anijeje luftarake amerikane në territorin e saj, transmeton Anadolu.

Gjatë emisionit të tij javor televiziv të hënën në mbrëmje, presidenti Venezuelës Nicolas Maduro tha se Trinidadi ishte bërë "aeroplanmbajtësja e perandorisë amerikane" duke pritur USS Gravely për stërvitje ushtarake. Ai shtoi se qeveria e tij nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të tërhiqej nga marrëveshjet e nënshkruara një dekadë më parë me Port of Spain.

Njoftimi i Maduros erdhi pasi zëvendëspresidentja dhe ministrja e Hidrokarbureve Delcy Rodriguez bëri thirrje për ndërprerjen e një marrëveshjeje të vitit 2015 që lejonte eksplorimin e përbashkët të gazit natyror midis dy vendeve.

Shkatërruesi amerikan mbërriti të dielën në kryeqytetin e Trinidad-Tobagos ndërsa administrata e Trumpit intensifikoi presionin ushtarak mbi Venezuelën dhe qeverinë e Maduros.

Zyrtarët nga Trinidad dhe Tobago dhe SHBA-ja thanë se anija do të qëndronte në port deri të enjten për të lejuar të dy vendet të kryejnë ushtrime të përbashkëta stërvitore. Karakasi ka denoncuar vazhdimisht praninë ushtarake amerikane në rritje në Karaibe, duke e përshkruar atë si kërcënim për sovranitetin e Venezuelës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.