Bota

Venezuela kërkon heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja

"Ne ratifikojmë kërkesën tonë që të hiqen të gjitha sanksionet penale kundër ekonomisë venezuelase nga SHBA-ja dhe nga qeveritë e Bashkimit Evropian (BE)", tha Maduro

Laura Gamba Fadul  | 23.09.2021 - Përdıtësım : 23.09.2021
Venezuela kërkon heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja

Bogota

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, në fjalimin e tij në mbledhjen vjetore të liderëve botërorë në Kombet e Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Ne ratifikojmë kërkesën tonë që të hiqen të gjitha sanksionet penale kundër ekonomisë venezuelase nga SHBA-ja dhe nga qeveritë e Bashkimit Evropian (BE)", tha Maduro në fjalimin e tij përmes video-konferencës në seancën e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

Maduro theksoi se sanksionet kanë parandaluar transaksionet financiare nga kompania shtetërore e naftës në Venezuelë dhe e kanë bërë më të vështirë për qeverinë e tij të financojnë mallrat bazë.

Ai po ashtu shfrytëzoi rastin për të kërkuar lirimin e rezervave të arit që i përkisnin Bankës Qendrore të Venezuelës, të cilat ruhen në Bankën e Anglisë.

Kërkesa e tij vjen përderisa qeveria e tij po zhvillon negociata në Meksikë me përfaqësuesit e opozitës venezuelase në përpjekje për heqjen e sanksioneve. Negociatat pasojnë nënshkrimin e një dokumenti midis dy palëve për të arritur disa marrëveshje që çojnë në organizimin e zgjedhjeve.

Në fjalimin e tij, Maduro po ashtu bëri thirrje për një botë të re të lirë nga "kolonializmi" dhe "perandoritë hegjemoniste".

"Një botë e re që del nga Afrika, Azia, Amerika Latine dhe Karaibet dhe nga popujt vendas të SHBA-së. Një botë e re që rilind për t'i dhënë fund hegjemonizmit të vjetra, për t'i dhënë fund pretendimit të disave që të bëhen policë dhe gjykatë të të gjithë popujve të botës. Kjo (botë) duhet të çlirohet nga çdo hegjemoni ose përpjekje të ndonjë perandorie për dominim ekonomik, financiar, ushtarak apo politik. Të çlirohet nga ata që gjatë shekujve plaçkitën, dominuan, shfrytëzuan dhe shtypën njerëzit në të gjithë botën me kolonializmin e tyre të vjetër grabitqar", deklaroi Maduro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.