Venezuela denoncon në OKB "pretendimet kolonialiste" të Trumpit
Duke iu drejtuar sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Ditën Ndërkombëtare Kundër Kolonializmit, Moncada kërkoi që Washingtoni të respektojë Kartën e OKB-së
Bogota
Ambasadori i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, të enjten kritikoi pretendimet e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump në lidhje me burimet e vendit të tij, duke i konsideruar ato si një shkelje "monstruoze" të së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Ditën Ndërkombëtare Kundër Kolonializmit, Moncada kërkoi që Washingtoni të respektojë Kartën e OKB-së.
Vërejtjet e tij pasuan pohimet e Trumpit se burimet tokësore dhe të naftës së Venezuelës në fakt "i përkasin" SHBA-së dhe duhet të dorëzohen.
Diplomati e përshkroi retorikën e Shtëpisë së Bardhë si një "fyerje groteske" ndaj normave të civilizuara, duke sugjeruar se ajo përfaqëson një kthim në politikat imperialiste të shekullit të 19-të.
"Presidenti Trump synon të kthejë orën e historisë prapa dhe të imponojë një koloni mbi Venezuelën", i tha Moncada asamblesë. "Nuk ka asnjë instrument ligjor që mund t'i rezistojë kësaj deklarate monstruoze", shtoi ai.
Moncada mbrojti idenë se administrata Trump po imponon "kaos dhe shkatërrim" në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke e karakterizuar kolonializmin si një "krim agresioni".
Ai pretendoi se kolonializmi tradicional është zëvendësuar nga "metoda të reja dhe të dëmshme" kontrolli.
Shkëmbimi diplomatik ndodhi në sfondin e një kërcënimi të drejtpërdrejtë ushtarak. Trump ka paralajmëruar se mosrespektimi i kërkesave të tij do të rezultonte në përballjen me "marinën më të fuqishme në botë" që do të impononte një bllokadë totale ajrore dhe detare ndaj kombit të Amerikës së Jugut.
Moncada shprehu gjithashtu solidaritet me rajone të tjera që ai i përshkroi si nën "dominim të huaj", duke përfshirë Palestinën dhe Porto Rikon, dhe tha se kushte të tilla janë të papajtueshme me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
