"Vendet e treta të mos detyrohen të bëhen palë në konkurencën SHBA-Kinë"
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi tha se "fati dhe e ardhmja e botës është e lidhur me mënyrën se si Washingtoni dhe Pekini do t'i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre"

Pekin
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi tha se vendet e treta nuk duhet të detyrohen të bëhen palë në konkurencën SHBA-Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas artikullit të gazetës "South China Morning Post", ministri Yi foli në takimin nëpërmjet internetit që zhvilloi institucioni indonezian Think tank Shoqëria për Politikën e Jashtme.
Ai vuri në dukje se fati dhe e ardhmja e botës është e lidhur me mënyrën se si Washingtoni dhe Pekini do t'i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre. "Në vend të një konkurence të bazuar në ndarje dhe shkëputjes së qëllimshme të lidhjeve, duhet të ketë një konkurencë më pozitive dhe më të butë, të bazuar mbi përfitimin reciprok dhe parimin fito-fito ku palët e treta nuk detyrohen të bëhen palë në luftën e fuqive të mëdha", tha Yi.
Shefi i diplomacisë kineze përsëriti përngjasimin që presidenti Xi Jinping tha në bisedën e tij me presidentin amerikan, Joe Biden se "SHBA-ja dhe Kina janë dy anije gjigante dhe se ato nuk duhet të përplasen me njëra tjetrën".
"Çdo lojë logjike me totalin zero, do të dëmtojë të dyja palët", tha Yi.
ASEAN duhet të luajë rol më të gjerë në rajon
Duke vënë në dukje se janë pro zgjerimit të rolit të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në rajon, Yi tha se kjo me kontributin që do të sigurojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit, do të jetë në interesin e të gjitha vendeve.
"Shkaktimi i konflikteve dhe formimi i fraksioneve politike dhe ushtarake në rajonin e Indo-Paqësorit do të dëmtojë paqen dhe prosperitetin", tha Yi duke shtuar se "Zhvillime të tilla meritojnë bojkotin më të gjerë kolektiv".
Washingtoni përdor Tajvanin për të rrethuar Kinën
Yi tha se kundërshtimi i pavarësisë së Tajvanit rrit mundësitë e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit si dhe akuzoi SHBA-në se "problemin e Tajvanit e përdor për të rrethuar Kinën".
Kryediplomati kinez mbrojti idenë e tij se edhe autoritetet e Tajvanit duan të përdorin mbështetjen e SHBA-së për qëllimin e tyre për pavarësi. "Ne do të bëjmë më të mundurën tonë për ribashkim paqësor, por nuk do të tolerojmë asnjëherë, asnjë veprim për ndarjen e vendit. Nuk do të pranojmë kurrë që në arenën ndërkombëtare të bëhen ‘dy Kina‘ ose ‘një Kinë, një Tajvan‘", theksoi Yi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.