Bota

Vendet e reja mund të bashkohen me BE-në pa të drejta të plota vote

Bashkimi Evropian (BE) po shqyrton mundësinë e lejimit të anëtarëve të rinj që të bashkohen me Unionin pa të drejtën e votës së plotë dhe vetos në fazën e parë

Selen Valente Rasquinho  | 20.10.2025 - Përdıtësım : 20.10.2025
Vendet e reja mund të bashkohen me BE-në pa të drejta të plota vote

Bruksel

Bashkimi Evropian (BE) po shqyrton mundësinë e lejimit të anëtarëve të rinj që të bashkohen me Unionin pa të drejtën e votës së plotë dhe vetos në fazën e parë, transmeton Anadolu.

Sipas informacionit të marrë nga burimet e BE-së, brenda Unionit po shqyrtohen formula të ndryshme për të kapërcyer veton e Hungarisë dhe për të çuar përpara procesin e pranimit të Ukrainës.

Midis këtyre, del në pah "pranimi i anëtarëve të rinj pa votë të plotë dhe veto në fazën e parë".

Propozimi do të jetë në tryezën e udhëheqësve në Samitin e BE-së që do të zhvillohet më 23 tetor. Megjithatë, nuk priten vendime revolucionare në këtë fazë.

Propozimet për reforma për të përdorur votimin me shumicë të kualifikuar në vend të unanimitetit në proceset e vendimmarrjes janë diskutuar prej kohësh brenda BE-së.

Bllokimi i proceseve nga vetoja e një shteti anëtar të vetëm, veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme dhe të zgjerimit, është kritikuar për dobësimin e efektivitetit të BE-së.

Disa shtete anëtare mbrojnë idenë që të kufizohet gradualisht e drejta e vetos dhe zbatimin e votimit me shumicë në fusha më të gjera.

Por, për shkak se ndryshime të tilla kërkojnë rishikime të traktateve, ato varen nga miratimi i të gjitha shteteve anëtare dhe progresi është i ngadaltë.


- Procesi për anëtarësimin e Ukrainës

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE më 28 shkurt 2022, pas luftës së nisur nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Komisioni Evropian, mendimin e tij mbi aplikimin e shpalli më 17 qershor 2022 dhe më pas, Këshilli i Evropës i dha Ukrainës statusin e vendit kandidat më 23 qershor 2022.

Këshilli i Evropës vendosi të hapë negociatat për Ukrainën në një samit të mbajtur më 14-15 dhjetor 2023.

Megjithatë, konferenca ndërqeveritare e nevojshme për fillimin e negociatave të pranimit nuk është thirrur ende. Vetoja e Hungarisë, në veçanti, përmendet si arsyeja për ngecjen e procesit.

Kryeministri hungarez Viktor Orban shpesh thekson kundërshtimin e tij ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.