Bota

Vendet e Gjirit përsërisin thirrjen për pjesëmarrje në bisedimet bërthamore të Iranit

I kryesuar nga ministri i Jashtëm i Bahreinit, Al-Zayani, Këshilli i kërkoi Iranit "të shmangë përshkallëzimin dhe të mos ekspozojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit ndaj më shumë tensioneve"

Ekip  | 17.06.2021 - Përdıtësım : 17.06.2021
Vendet e Gjirit përsërisin thirrjen për pjesëmarrje në bisedimet bërthamore të Iranit

Rijad

Anëtarët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) përsëritën thirrjen për pjesëmarrje në bisedimet ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas seancës së 148-të të Këshillit Ministror të GCC-së në selinë qendrore në kryeqytetin saudit Rijad, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të GCC-së lëshuan një deklaratë duke theksuar nevojën që Teherani të angazhohet "seriozisht" në bisedimet e vazhdueshme në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të njohur gjithashtu si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Përmes një deklarate, duke denoncuar "dështimin e vazhdueshëm të Iranit për të përmbushur detyrimet e tij ndaj Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike", këshilli pohoi se edhe vendet e GCC-së duhet të marrin pjesë në negociata.

Takimi i GCC-së erdhi pas raundit të gjashtë të negociatave që vazhduan të shtunën për marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë, pasi Washingtoni zyrtar u tërhoq prej saj në vitin 2018. Marrëveshja vendos kufizime në programin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

I kryesuar nga ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdul Latif Al-Zayani, këshilli i kërkoi Iranit "të shmangë përshkallëzimin dhe të mos ekspozojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit ndaj më shumë tensioneve".

Gjithashtu u refuzuan "armiqësitë e vazhdueshme kundër Arabisë Saudite" të grupit jemenas Huthi të mbështetur nga Irani, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të veprojë për të ndaluar grupin që të shënjestrojë mbretërinë me dronë dhe raketa.

Këshilli dënoi "mbështetjen e vazhdueshme të Iranit për grupet terroriste dhe milicitë sektare në Irak, Siri, Jemen dhe të tjera, të cilat kërcënojnë sigurinë kombëtare arabe".

Kryediplomatët pjesëmarrës nga Bahreini, Arabia Saudite, Omani, Katari, Kuvajti dhe Emirateve të Bashkuara Arabe diskutuan për çështjen palestineze gjatë takimit, duke dënuar "shkeljet e vazhdueshme të Izraelit dhe sulmet kundër popullit palestinez" dhe duke nënvizuar "domosdoshmërinë e ringjalljes së procesit të paqes" të pezulluar që nga viti 2014.

Ata trajtuan çështjen e digës në Etiopi dhe theksuan prioritetin e sigurimit të ujit për Egjiptin dhe Sudanin.

Përveç këtyre, në deklaratë thuhet se ata diskutuan situatën në Siri, Jemen, Liban, Jordani, Irak, Marok dhe Libi, duke theksuar refuzimin e ndërhyrjes në punët e brendshme Arabe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın