Vendet e BE-së lëshojnë një numër të madh vizash turistike për rusët pavarësisht sanksioneve
Sipas të dhënave të cituara nga 'EUobserver', më shumë se 552 mijë viza Schengen u lëshuan për shtetasit rusë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 9 për qind krahasuar me vitin e kaluar

Stamboll
Disa vende të mëdha të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Franca, Italia dhe Spanja, u kanë dhënë një numër të madh vizash turistike qytetarëve rusë, pavarësisht sanksioneve të vazhdueshme të bllokut evropian dhe shqetësimeve në rritje midis vendeve anëtare lindore mbi kërcënimet e sigurisë që rrjedhin nga lufta e Rusisë në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Siç raporton e përditshmja 'Iltalehti', sipas të dhënave të cituara nga 'EUobserver', më shumë se 552 mijë viza Schengen u lëshuan për shtetasit rusë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 9 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Vetëm Italia ndau mbi 152 mijë viza, afër 20 mijë më shumë se në vitin 2023. Krahasuar me Italinë, Finlanda së bashku me Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Republikën Çeke dhe Norvegjinë, e kanë kufizuar ose ndaluar ndjeshëm lëshimin e vizave turistike për rusët.
Derisa udhëtimi drejt BE-së mbetet një udhëtim i kushtueshëm për shumicën e rusëve, shpesh duke kërkuar tranzit përmes Stambollit ose Dubait për shkak të fluturimeve të kufizuara direkte, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) i Rusisë raportoi pothuajse 30 milionë udhëtime dalëse nga qytetarët rusë vitin e kaluar, një rritje prej 15 për qind nga nivelet e vitit 2023.
Destinacionet popullore përfshijnë Turqinë, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajlandën.
Vendet lindore të BE-së, veçanërisht ato që kufizohen me Rusinë, argumentojnë se turizmi mund të shfrytëzohet për qëllime të mbledhjes së inteligjencës. Ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavsky, paralajmëroi se shërbimet e sigurisë së Rusisë historikisht kanë përdorur flukse të pakontrolluara njerëzish, siç është turizmi, si pjesë e taktikave të tyre të luftës hibride.
Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Franca ka mbrojtur politikën e saj, duke theksuar rëndësinë e kontakteve midis njerëzve.
"Ne përpiqemi të ndajmë qeverinë ruse nga populli rus dhe shoqëria civile", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Francës.
Analistja britanike e mbrojtjes, Emily Ferris, mbështeti pikëpamjen, duke deklaruar se do të ishte e padrejtë të ndëshkohen rusët e zakonshëm për vendimet e marra nga udhëheqja e tyre.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.