Vendet arabe dënojnë deklaratën e Netanyahut lidhur me vizionin e tij për "Izraelin e madh"
Vendet arabe reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me vizionin e tij për "Izraelin e madh"

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Vendet arabe reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me vizionin e tij për "Izraelin e madh", transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi fuqishëm deklaratat e kryeministrit izraelit lidhur me të ashtuquajturin vizionin e "Izraelit të madh", idetë dhe projektet e vendbanimeve dhe ekspansionizmit të adoptuara nga zyrtarët izraelitë.
Deklarata përsëriti të drejtën e popullit palestinez për të krijuar shtet të pavarur dhe sovran në tokën e vet dhe paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar për "shkeljet flagrante të Izraelit që minojnë themelet e legjitimitetit ndërkombëtar, shkelin hapur sovranitetin e shteteve, kërcënojnë sigurinë dhe paqen rajonale e ndërkombëtare".
- Katari
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Katarit dënoi deklaratat e Netanyahut rreth vizionit të tij të ashtuquajtur "Izrael i madh". Ministria tha se deklarata të tilla janë "zgjatim i arrogancës së Izraelit, qasjes së tij të bazuar në nxitjen e krizave dhe konflikteve si dhe shkeljes së hapur të sovranitetit shtetëror, ligjit ndërkombëtar, Kartës së OKB-së dhe rezolutave ndërkombëtare".
Deklarata vuri në dukje se "pretendimet e pabaza dhe deklaratat provokuese të Izraelit nuk mund të dëmtojnë të drejtat legjitime të shteteve arabe" dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë së bashku kundër këtyre provokimeve që e zvarrisin rajonin në dhunë dhe kaos të mëtejshëm.
- Palestina
Në një deklaratë, presidenca palestineze i përshkroi deklaratat e Netanyahut si "shkelje të rezolutave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare dhe sulm ndaj sovranitetit të shteteve dhe sigurisë e stabilitetit të rajonit".
Reagimi vuri në dukje se deklarata në fjalë ishte "e papranueshme dhe se politikat ekspansioniste dhe kolonialiste të Izraelit kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit".
- Jemeni
Ministria e Jashtme e Jemenit tha në një deklaratë se "dënon fuqimisht mburrjen e kryeministrit izraelit për atë që ai e quan vizionin e tij të 'Izraelit të madh'".
"Një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe sfidë e hapur e vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare", thuhet në reagimin e ministrisë e cila paralajmëroi se vazhdimi i politikave të Izraelit do ta çonte rajonin në tensione dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme.
- Netanyahu pretendon se "po ndërmerr mision historik dhe shpirtëror".
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duke pretenduar se ndihet se ka marrë përsipër një mision historik dhe shpirtëror tha se është i përkushtuar ndaj vizionit për një "Izrael të madh", i cili përfshin territoret e pushtuara palestineze.
Kur një gazetar i "i24 News" e pyeti nëse ndjen lidhje me vizionin e "Izraelit të madh", Netanyahu u përgjigj: "Shumë". Deputeti izraelit i ekstremit të djathtë Sharon Gal i dhuroi së fundmi Netanyahut një amuletë që simbolizon "Izraelin e madh".
Termi "Izraeli i madh" është përdorur nga disa sionistë, përfshirë Zeev Jabotinsky, themeluesin e lëvizjes sioniste revizioniste dhe që konsiderohet si babai themelues i partisë në pushtet Likud, për t'iu referuar kufijve aktualë të Izraelit, Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor të pushtuar si dhe territoreve në Jordani.