Bota

Vende të rajonit solidarizohen me Kanadanë pas të shtënave fatale në shkollë

Dhjetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën nga të shtënat në një shkollë në Tumbler Ridge

Rabia İclal Turan  | 11.02.2026 - Përdıtësım : 11.02.2026
Vende të rajonit solidarizohen me Kanadanë pas të shtënave fatale në shkollë

Shkup

Vende të rajonit kanë shprehur solidaritet me Kanadanë pas të shtënave tragjike në një shkollë në provincën Kolumbia Britanike në Kanada, ku humbën jetën dhjetë persona dhe u plagosën disa të tjerë, transmeton Anadolu.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në një deklaratë në rrjetin social amerikan X, deklaroi se është "thellësisht e pikëlluar" nga ngjarja tragjike në Tumbler Ridge, duke theksuar se shkolla duhet të jetë vend mësimi dhe sigurie.

"Solidarizohemi me familjet e prekura, nxënësit dhe stafin e shkollës. Ngushëllime për të dashurit e tyre që janë në zi dhe u urojmë forcë dhe shërim të plotë të plagosurve", tha Siljanovska Davkova.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke thënë se e ka tronditur thellë lajmi për tragjedinë në shkollën në Kanada. "Serbia e kupton dhe e ndan dhimbjen tuaj. Çdo akt i tillë i çmendurisë na kujton se duhet të përqendrojmë të gjitha forcat drejt mbrojtjes dhe sigurisë së të rinjve në këto kohë të vështira", tha Vuçiq.

Ai shprehu ngushëllime për qytetarët e Kanadasë dhe familjet e viktimave, ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.

Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, deklaroi se në momente kur dhuna merr jetë të pafajshme, fjalët bëhen të vështira, duke shtuar se mendimet e Sllovenisë janë me familjet e viktimave në Kanada.

"Sot, dhembshuria, solidariteti dhe humanizmi janë më të rëndësishme se kurrë", tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu shprehu solidaritet me Kanadanë. "Asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë komunitet nuk duhet të përjetojë kurrë një tragjedi të tillë. Ne vajtojmë me popullin e Kanadasë dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjeve që përballen me këtë humbje të pabesueshme. Po ashtu, jemi duke menduar për ata që u lënduan. Kosova qëndron fuqishëm me Kanadanë në këtë kohë zie", shkroi ajo.

Ndërkaq, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në postimin e tij në rrjetet sociale u shpreh: "U tronditëm thellë nga lajmi për të shtënat vdekjeprurëse në një shkollë të mesme në Tumbler Ridge, në të cilën disa persona humbën jetën. Ne u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, popullit kanadez - veçanërisht banorëve të British Columbia dhe Tumbler Ridge - si dhe Kryeministrit Mark Carney".

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë në një mesazh të publikuar në rrjete sociale tha se janë thellësisht të pikëlluar nga lajmi tragjik i të shtënave fatale në një shkollë të mesme në Tumbler Ridge, i cili ka marrë në mënyrë kaq tragjike jetë të pafajshme.

"Ky akt pa kuptim i dhunës na ka tronditur të gjithëve në thelb. Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë te familjet e viktimave, komuniteti i Tumbler Ridge, njerëzit e British Columbia dhe të gjithë kanadezët në këtë kohë zie të thellë. Shqipëria qëndron në solidaritet me Kanadanë, dhe ju urojmë forcë dhe ngushëllim përballë kësaj humbjeje të tmerrshme", thuhet në mesazh.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës dënoi aktin e dhunës, duke e cilësuar si një "veprim të pakuptimtë që trondit jo vetëm komunitetin lokal, por mbarë vendin".

Në reagim thuhet se Bosnjë e Hercegovina qëndron në solidaritet me popullin kanadez në këto momente zie.

"Mendimet dhe lutjet tona të përzemërta janë me familjet dhe miqtë që kanë humbur të dashurit e tyre, si dhe me të gjithë ata, jeta e të cilëve është ndryshuar përgjithmonë nga kjo tragjedi", tha ministria.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın