Bota

Vazhdon vala e arrestimeve të princërve në dinastinë saudite

Sipas MEE, Mohammed bin Slaman po përgatitet të ulet në fronin saudit para samitit të G20-tës që do të mbahet në Arabinë Saudite në nëntor

Enes Canlı  | 11.03.2020 - Përdıtësım : 12.03.2020
Vazhdon vala e arrestimeve të princërve në dinastinë saudite

Ankara

Mohammed bin Saad Al-Saud, anëtar i Këshillit të Besnikërisë (Bayaa) në dinaistinë e Arabisë Saudite, është arrestuar me akuzën për planifikim të një grushti shteti kundër princit të kurorës Mohammed bin Salman, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas portalit Middle East Eye (MEE) me bazë në Londër, ky rast është vazhdimësi e serisë së fundit të arrestimeve të princërve në Arabinë Saudite.

MEE shkroi se bin Saad, anëtar i Këshillit të Besnikërisë që ka për detyrë përcaktimin e trashëgimtarëve të fronit saudit, është djali i vëllait të Mbretit Salman.

Ndërkohë autoritetet saudite ende nuk kanë bërë ndonjë deklaratë zyrtare ose përgënjeshtrim lidhur me raportimet.

- Mohammed bin Salman përgatitet të marrë fronin

Sipas lajmit të MEE-së, Mohammed bin Slaman po përgatitet të ulet në fronin saudit para samitit të G20-tës që do të mbahet në Arabinë Saudite në nëntor.

Portali po ashtu ka shkruar se gjendja shëndetësore e Mbretit Salman po përkeqësohet dhe se ai po vuan nga demenca. Në rast të largimit të mbretit nga froni dhe lirimin e vendit për djalin e tij Mohammed bin Salman, shkruan MEE, nevojitet miratimi i Këshillit të Besnikërisë për këtë kalim, prandaj, princi i kurorës "po përpiqet që ta gjunjëzojë Këshillin".

Në lajm thuhet se numri i anëtarëve të arrestuar të Këshillit të Besnikërisë ka arritur në katër.

Arrestimi i Mohammed bin Saad, dhe më parë i Mohammed bin Nayef, vëllait të Mbretit Salman, princit Ahmed bin Abdulaziz, dhe para kësaj i princit Miteb bin Abdullah, është komentuar si tregues i planeve të Mohammed bin Salman lidhur me Këshillin.

- Mbreti Salman në gjendje të keqe shëndetësore

Në raportimin e MEE-së thuhet se po qarkullojnë shumë pretendime për gjendjen shëndetësore të Mbretit Selman, dhe se mbreti kishte harruar se ku kishte mbetur gjatë fjalimit të tij në një samit ndërkombëtar, në të cilin mori pjesë vitin e kaluar.

Një burim i afërt me familjen mbretërore ka pohuar se "Mbreti Salman nuk ka dijeni për atë që po ndodh rreth tij, ai përsërit të njëjtat fjali, harron ato që i thotë ose ato që thuhen në rrethin e tij".

Disa media rajonale dhe ndërkombëtare gjatë fundjavës raportuan për arrestimin e disa princërve të lartë brenda dinastisë saudite. Disa burime madje kanë thënë se pas arrestimit të princit Ahmed, të paktën 20 persona të tjerë nga familja mbretërore janë arrestuar me akuzën për tentativë për grusht shteti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.