Bota

Vazhdon pritja e civilëve për evakuim në kampin Rukban

Në kufirin jordanez, ende 60,000 civilë përpiqen të mbijetojnë në kushte çnjerëzore në kampin Rukban, i cili ndodhet nën rrethimin e regjimit të Bashar al-Assadit

Ekip  | 19.02.2019 - Përdıtësım : 19.02.2019
Vazhdon pritja e civilëve për evakuim në kampin Rukban

Moskë

MOSKË (AA) - Pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për evakuim, vazhdon pritja mes shqetësimeve të 60 mijë civilëve që jetojnë në rrethimin e regjimit sirian të Bashar al-Assad në kampin Rukban në kufirin e Sirisë me Jordaninë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kufirin jordanez, ende 60 mijë civilë përpiqen të mbijetojnë në kushte çnjerëzore në kampin Rukban, i cili ndodhet nën rrethimin e regjimit të al-Assadit.

Kombet e Bashkuara (OKB) shpesh herë theksojnë nevojën për të përmirësuar situatën në kamp, për të lejuar qasjen e ndihmave humanitare dhe për të siguruar që çdo evakuim të bëhet në mënyrë të sigurtë dhe sipas dëshirës.

Mihail Mizintsev, kreu i qendrës Kombëtare të Kontrollit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në një konferencë për shtyp të mbajtur në lidhje me situatën në kamp tha se për evakuimin e civilëve në kampin Rukban kanë formuar dy qendra në zonat Xhulejb dhe Xhebel el Gurab të qytetit Homs.

Gjithashtu Mizintsev ka pretenduar se me dy korridore të koordinuara nga qendrat të cilat vihen në veprim që nga dita e sotme, civilët do të transferohen në qendrat e strehimit të përkohshme të vendosura në pjesën periferike të Damaskut.

Ndërsa edhe zyrtarët e tjerë rusë pjesëmarrës në takim kanë mbrojtur idenë se nga korridoret në fjalë mund të kalojnë një mijë persona dhe 50 automjete në ditë.

Theksohet se pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për evakuim, vazhdojnë shqetësimet e palëve siriane dhe ndërkombëtare në lidhje me kampin Rukban.

- OKB nuk është e përfshirë

Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, tha për gazetarin e AA-së se OKB nuk është e përfshirë në hapjen e korridoreve në fjalë.

"Kjo iniciativë u njoftua nga autoritetet ruse dhe siriane. Ne përsërisim që kthimi ose rivendosja e popullsisë në Rukban duhet të jetë në kuadër të parimeve të caktuara dhe se rivendosja duhet të bëhet në përputhje me standardet sipas dëshirës, me hapa të sigurta, të kujdesshme, të informuar mjaftueshëm dhe të mbrojtjes minimale" tha Laerke. 

- Opozita siriane pa informacion

Ndërkohë sipas informacioneve të marra nga burimet e Koalicionit Kombëtar të Opozitës Siriane dhe Forcave Revolucionare mësohet se Rusia nuk ka informuar mjaftueshëm palët e interesuara.

Burimet janë shprehur se kanë vështirësi për të kontaktuar me drejtuesit civilë në kampin Rukban dhe se banorët e kampit as që kanë dijeni për aktivitetet e njoftuara nga Rusia.

Autorë: Dmitri Chirciu/Bayram Altuğ/Adham Kako

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.