Vazhdon ndotja e ajrit në New Delhi pavarësisht eksperimentit me "mbjelljen e reve"
Autoritetet kryen një eksperiment të "mbjelljes së reve" mbi New Delhi në një përpjekje për të shkaktuar reshje shiu dhe për të reduktuar ndotjen e rëndë të ajrit të kryeqytetit
New Delhi
Pavarësisht një eksperimenti të "mbjelljes së reve" për të stimuluar reshjet mbi kryeqytetin indian New Delhi të mbuluar nga smogu, vazhdon ndotja e ajrit me nivele alarmante, raporton Anadolu.
Problemi i përhapur i ndotjes së ajrit në kryeqytetin indian po bëhet më i rëndë teksa afrohet stina e dimrit.
Dje, autoritetet e vendit kryen një eksperiment të "mbjelljes së reve" mbi New Delhi në një përpjekje për të shkaktuar reshje shiu dhe për të reduktuar ndotjen e rëndë të ajrit të kryeqytetit.
Një aeroplan spërkati kimikate në re për të shkaktuar shi dhe për të pastruar ndotësit, pasi sipas zyrtarëve cilësia e ajrit mbetet në nivelin "shumë të dobët".
Cilësia e ajrit për disa ditë po shënon ulje në kryeqytet dhe zonat përreth, me përdorimin e fishekzjarrëve gjatë festivalit hindu të dritave që kontribuojnë në mjegulla. Ndotja zakonisht përkeqësohet në dimër kur fermerët aty pranë djegin mbetjet e të korrave ndërsa emetimet industriale dhe të qymyrit vazhdojnë të bllokojnë smogun.
Ekspertët mjedisorë thonë se cilësia e dobët e ajrit në qytetin me më shumë se 16 milionë banorë rrjedh nga një përzierje faktorësh, përfshirë kushtet e motit që kufizojnë shpërndarjen.
Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm për Cilësinë e Ajrit, i menaxhuar nga qeveria federale, ka parashikuar se ndotja do të mbetet në "kategorinë shumë të dobët deri në të dobët" gjatë ditëve në vijim.
