Vazhdojnë përpjekjet për të shuar zjarret në Nebraska të SHBA-së
Zyrtarët thanë sot se përpjekjet për të shuar zjarret në shtetin qendror amerikan Nebraska vazhdojnë pasi flakët kanë përfshirë mbi 300 mijë hektarë
Stamboll
Zyrtarët thanë sot se përpjekjet për të shuar zjarret në shtetin qendror amerikan Nebraska vazhdojnë pasi flakët kanë përfshirë mbi 300 mijë hektarë, transmeton Anadolu.
Qindra zjarrfikës nga e gjithë Nebraska dhe shtetet fqinje po luftojnë me zjarret që kanë djegur më shumë se dyfishin e madhësisë së ishullit Rodos në Greqi.
"Përpjekjet vazhdojnë në përgjigje të zjarreve në Nebraskën perëndimore", shkroi Patrulla Shtetërore e Nebraskës në kompaninë amerikane të mediave sociale X, duke shtuar se mbikëqyrësi i zbatimit të ligjit të shtetit, koloneli Bryan Waugh, ka informuar Sekretaren e Bujqësisë të SHBA-së, Brooke Rollins.
Informimit në Ogallala iu bashkuan edhe guvernatori i Nebraskës, Jim Pillen dhe nënsekretari i Bujqësisë, Richard Fordyce si dhe senatorë dhe anëtarë të Kabinetit, shkroi Waugh në X.
Të hënën, Rollins tha në X se 323.748 hektarë në të gjithë shtetin janë djegur, duke shtuar se "shkalla e këtij shkatërrimi është diçka që duhet ta shihni për ta kuptuar".
Sipas Nebraska Public Media sot zjarrfikësit po bëjnë përparim në luftën ndaj zjarreve në shtet, me të paktën një kontroll të pjesshëm të raportuar tani në të katër zjarret.
Zyrtarët thanë se një nga zjarret, i njohur si zjarri Morrill, është më i madhi i regjistruar ndonjëherë në historinë e shtetit dhe ka rezultuar me të paktën një viktimë.
