Vazhdojnë efektet e tërmetit me magnitudë 8.8 ballë në lindje të Rusisë
Pas tërmetit 8.8 ballë dhe lëkundjeve të shumta pasuese në Rusinë lindore, vendet që kufizohen me Oqeanin Paqësor lëshuan paralajmërime për cunami dhe thirrje për evakuim

Washington DC
ANKARA (AA) - Pas tërmetit me magnitudë 8.8 ballë që goditi rajonin Kamchatka në Rusinë lindore, paralajmërime për cunami u lëshuan në vendet e Azisë Juglindore dhe në disa pjesë të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Pas tërmetit 8.8 ballë dhe lëkundjeve të shumta pasuese në Rusinë lindore, vendet që kufizohen me Oqeanin Paqësor lëshuan paralajmërime për cunami dhe thirrje për evakuim. Një paralajmërim për cunami u lëshua për bregdetin e shtetit amerikan të Kalifornisë.
Sipas lajmit të ABC7 Los Angeles, niveli i rrezikut të cunamit për zonat bregdetare të San Luis Obispo, Santa Barbara, Ventura dhe Los Angeles u rrit nga "vëzhgues" në "paralajmërim" pas tërmetit në Rusinë lindore. Vendi i vetëm aktualisht në SHBA në të cilin vazhdon paralajmërimi për cunami është Kalifornia veriore.
Qyteti i Huntington Beach ka mbyllur skelat dhe plazhet e tij si masë paraprake.
Kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass deklaroi se policia portuale dhe zyrtarët e emergjencës po i përgjigjen në mënyrë aktive paralajmërimit për cunami, duke i nxitur banorët të "qëndrojnë vigjilentë, larg vijës së ujit dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare".
CNN raportoi duke cituar informacione nga "FlightRadar24" se në fluturimet për në Honolulu po përjetohen ndërprerje. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se fluturimet nga Los Angelesi, San Francisco, San Diego dhe Vancouveri për në Hawaii janë kthyer në aeroportet e tyre të nisjes.
"Hawaiian Airlines" dhe "Alaska Airlines" kanë vënë në pritje fluturimet për në Hawaii dhe po devijojnë fluturime në disa itinerare. Në Los Angeles, helikopterët e forcave të sigurisë po patrullojnë bregdetin për të treguar se një paralajmërim për cunami mbetet në fuqi.
Matjet fillestare nga Qendra Kombëtare e Paralajmërimit për Cunami tregojnë se një dallgë afërsisht 50 centimetra e lartë u formua aty ku cunami arriti për herë të parë në Kaliforni. Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së raportoi se dallgët arritën edhe në San Francisco.
Ndërkohë, rajoni British Columbia i Kanadasë lëshoi paralajmërim për cunami, përfshirë Haida Gwaii dhe brigjet verilindore dhe perëndimore të ishullit Vancouver. Dallgët në rajon thuhet se arritën 30 centimetra.
- Niveli i alarmit në Hawaiit u ul në nivelin "këshillues"
Roja Bregdetare e SHBA-së u ka kërkuar të gjitha anijeve tregtare të evakuojnë portet e Hawaiit dhe njoftoi mbylljen e të gjitha porteve në Hawaii për anijet hyrëse. Sipas raportimeve të mediave havaiane, paralajmërimi i shtetit për cunami është ulur në nivel këshillues.
Drejtori i Qendrës së Paralajmërimit për Cunami në Paqësor, Chip McCreery tha për gazetën "Honolulu Star-Advertiser" se "më e keqja" ka mbaruar. Ndërkohë janë hequr evakuimet në ishullin Oahu, i cili përfshin qytetin e Honolulu-s.
Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave në Oahu njoftoi në X se njerëzve u lejohet të kthehen në zonat e evakuara.
- Paralajmërim evakuimi për pothuajse 2 milionë njerëz në Japoni
Sipas transmetuesit shtetëror japonez NHK, autoritetet kanë kërkuar evakuime derisa "të hiqen të gjitha paralajmërimet" pas një paralajmërimi për cunami që mund të arrijë deri në 3 metra.
Megjithatë, raportet fillestare tregojnë se nuk ka dëme të mëdha. Agjencia Meteorologjike e Japonisë raportoi se alarmi për cunami për bregdetin e Paqësorit në jug të Fukushimës është ulur në nivel këshillues, ndërsa alarmi mbetet në fuqi në veri.
Zyrtari i Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, Kiyomoto Masashi u bëri thirrje njerëzve pranë bregdetit ose lumenjve të evakuohen menjëherë në vende më të larta dhe të qëndrojnë në një vend të sigurt derisa të hiqet paralajmërimi. Ai tha se cunamet mund të godasin vazhdimisht për një periudhë të zgjatur dhe se lëkundjet pasuese mund të jenë edhe më të mëdha.
Agjencia Japoneze e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive (FDMA) njoftoi se më shumë se 1.9 milion njerëz në më shumë se 220 prefektura përgjatë bregdetit të Paqësorit janë lëshuar paralajmërime evakuimi. Agjencia Meteorologjike Japoneze tha se valët e cunamit arritën 1.3 metra lartësi dhe po bëheshin gjithnjë e më të mëdha.
Sipas lajmit të "The Japan Times", punëtorët në centralin bërthamor "Fukushima Daiichi" u evakuuan në vende më të larta. U vu re se procesi i trajtimit të ujit radioaktiv para se të lëshohej në oqean nuk u prek negativisht nga ngjarjet dhe se puna është ndalur.
- Alarm për cunami në Kinë, Indonezi dhe Filipine
Sipas Rrjetit Televiziv Global të Kinës (CTGN), Ministria Kineze e Burimeve Natyrore ka lëshuar alarm të verdhë për një cunami të parashikuar pas tërmetit. Sipas gazetës "Jakarta Globe", Agjencia Meteorologjike, Klimatike dhe Gjeofizike Indoneziane ka lëshuar paralajmërim për cunami për 10 zona përgjatë vijës bregdetare të vendit.
Sipas gazetës "Manila Times", Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë në Filipine njoftoi se një cunami me lartësi dallge më pak se një metër do të godasë vendin pas tërmetit dhe u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë larg plazheve.
- Dallgët mund të arrijë 1.4 metra në Ishujt Galapagos
Sipas lajmit të CNN, Kili ka paralajmëruar për një rrezik nga cunami përgjatë gjithë vijës bregdetare ndërsa lartësia e dallgëve në Ishujt Galapagos, pjesë e Ekuadorit, mund të arrijë 1.4 metra.
Sistemi i Integruar i Paralajmërimit të Cunamit për Meksikën dhe Amerikën Qendrore lëshoi paralajmërim për cunami për zonën nga Meksika veriore deri në Panama.
Njësia Kombëtare e Menaxhimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë e Kolumbisë u bëri thirrje banorëve të rajoneve Narino dhe Choco në bregdetin lindor të vendit të evakuojnë plazhet dhe zonat bregdetare dhe të kërkojnë vende më të larta larg bregdetit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti 8.8 ballë në Kamchatka të Rusisë ishte ndër katër tërmetet më të forta të këtij shekulli dhe ndër tetë më të fortat që nga viti 1900.
Tërmeti ndodhi përgjatë Unazës së Zjarrtë të Paqësorit, një unazë me çarje sizmike rreth Oqeanit Paqësor ku ndodhin shumica e tërmeteve në botë.