Vatikani shpërndan pamjet e para të trupit të Papa Françeskut
Trupi i Papa Françeskut, liderit shpirtëror të katolikëve dhe kreut të Vatikanit, u vendos në kapelën e bujtinës Santa Marta, të cilën ai e përdorte si rezidencë

Shkup
Vatikani ka shpërndarë pamjet e para të trupit të Papa Françeskut, i cili dje ndërroi jetë, transmeton Anadolu.
Trupi i Papa Françeskut, liderit shpirtëror të katolikëve dhe kreut të Vatikanit, u vendos në kapelën e bujtinës Santa Marta, të cilën ai e përdorte si rezidencë.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Pietro Parolin u pa duke vizituar vendin ku është vendosur trupi i Papës dhe duke u lutur.
Papa 88-vjeçar vdiq nga një goditje cerebrale dhe dështimi i pakthyeshëm i zemrës më herët të hënën, tha mjeku i Vatikanit, Andrea Arcangeli në certifikatën e vdekjes.
Françesku, Papa i parë i Amerikës Latine, lindi në Buenos Aires të Argjentinës në vitin 1936 nga prindër emigrantë italianë. I shuguruar si prift jezuit në vitin 1969, ai studioi në Argjentinë dhe më vonë në Gjermani përpara se të ngrihej për të udhëhequr Kishën Katolike në vitin 2013.