Ushtria kineze do të zhvillojë bisedime me BE-në dhe NATO-n në Bruksel javën e ardhshme
Konsultimet për sigurinë dhe mbrojtjen BE-Kinë janë planifikuar të zhvillohen të martën e ardhshme, raportoi të mërkurën e përditshmja "South China Morning Post"
Karaçi
Një delegacion nga ushtria kineze do të zhvillojë bisedime me BE-në dhe NATO-n në Bruksel javën e ardhshme, mes tensioneve të larta në Lindjen e Mesme, sipas një raporti mediatik, transmeton Anadolu.
Konsultimet për sigurinë dhe mbrojtjen BE-Kinë janë planifikuar të zhvillohen të martën e ardhshme, raportoi të mërkurën e përditshmja "South China Morning Post".
Ajo shtoi se bisedimet midis zyrtarëve të NATO-s dhe atyre nga Zyra për Bashkëpunim Ushtarak Ndërkombëtar të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA) do të zhvillohen po atë javë.
Ende nuk është njoftuar asnjë konfirmim zyrtar nga asnjëra palë.
Bisedimet ushtarake midis dy palëve vijnë mes një krize në Lindjen e Mesme të shkaktuar nga sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, të cilat, sipas Teheranit, kanë vranë rreth 1.300 njerëz, përfshirë udhëheqësin suprem të atëhershëm, Ajatollah Ali Khamenei dhe shefin e lartë të sigurisë Ali Larijani.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa në të gjithë rajonin dhe ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe tranziti nafte që trajton rreth 20 milionë fuçi në ditë dhe afërsisht 20 për qind të tregtisë globale të gazit natyror të lëngshëm, duke prishur tregjet globale të energjisë.
