Bota

Ushtria izraelite vret 13 persona gjatë bastisjes që kreu në jug të Sirisë

Ushtria izraelite vrau 13 persona, përfshirë dy fëmijë dhe dy gra, në një bastisje në rajonin Quneitra të Sirisë jugore ndërsa në përleshjen që pasoi janë plagosur 6 ushtarë izraelitë

Mustafa Deveci, Ahmet Karaahmet  | 28.11.2025 - Përdıtësım : 28.11.2025
Ushtria izraelite vret 13 persona gjatë bastisjes që kreu në jug të Sirisë

Ankara

Ushtria izraelite ka vrarë 13 persona, përfshirë dy fëmijë dhe dy gra, në një bastisje në një qytet në rajonin Quneitra të Sirisë jugore, ndërsa në përleshjen që pasoi janë plagosur 6 ushtarë izraelitë, tre prej tyre rëndë, transmeton Anadolu.

Në lajmin e paraqitur në mediat siriane thuhet se ushtarët izraelitë kryen bastisje në qytezën Beit Jinn në rajonin Quneitra. Bëhet e ditur se përleshja shpërtheu gjatë bastisjes kur ushtarët izraelitë u përpoqën të arrestonin me forcë disa persona në qytezë.

Ushtria izraelite ofroi mbështetje me helikopterë gjatë bastisjes për ushtarët që kryen sulmin. Theksohet se ushtria izraelite shënjestroi disa zona në Beit Jinn me zjarr artilerie.

Sipas informacionit që gazetari i AA-së ka marrë nga burime lokale, të paktën 13 persona, përfshirë dy fëmijë dhe dy gra, u vranë në përleshje ndërsa shumë të tjerë u plagosën.

Nga autoritetet siriane ende nuk është lëshuar deklaratë lidhur me sulmin. Ndërsa ushtria izraelite e konfirmoi sulmin në një deklaratë me shkrim.

Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se "Në Beit Jinn u krye bastisje për të arrestuar dy persona të pretenduar si anëtarë të 'Jama'at-e-Islami'. Gjatë bastisjes shpërtheu përleshje dhe gjashtë ushtarë izraelitë u plagosën, tre prej tyre rëndë".

Më tej pretendohet se në sulm u vranë disa persona të dyshuar si të armatosur dhe se u arrestuan disa të tjerë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın