Ushtria izraelite tërhiqet nga Gaza, zbulohet shkatërrimi i qendrës së vetme të dializës në enklavë
Kjo qendër dikur shërbente për më shumë se 1.600 palestinezë që vuanin nga dështimi i veshkave, por tani jetët e shumë pacientëve mbeten në rrezik për shkak të kolapsit të sistemit të kujdesit shëndetësor
Gaza
Në pjesën veriore të Rripit të Gazës, Qendra e Dializës ‘Noura Al-Kaabi’, e vetmja qendër e dializës, është shkatërruar plotësisht pasi ushtria izraelite u tërhoq nga enklava palestineze pas më shumë se një viti të ofensivës izraelite, raporton Anadolu.
Si pasojë e shkatërrimit të kryer nga ushtria izraelite, në qendrën ‘Noura Al-Kaabi’ janë kthyer në të papërdorshme 80 aparate të dializës.
Ushtria izraelite grumbulloi municione dhe e përdori ndërtesën si bazë ushtarake gjatë ofensivës së saj në enklavën palestineze.
Kjo qendër dikur shërbënte për më shumë se 1.600 palestinezë që vuanin nga dështimi i veshkave, por tani ajo i është nënshtruar një shkatërrimi të gjerë dhe jetët e shumë pacientëve mbeten në rrezik për shkak të kolapsit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta.
Faza fillestare 6-javore e marrëveshjes së vazhdueshme të armëpushimit në Gaza hyri në fuqi më 19 janar, duke e ndalur luftën e Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47.500 palestinezë dhe e ka kthyer enklavën në gërmadha mes zhvendosjes masive të popullsisë civile dhe mungesës akute të nevojave të përditshme.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
