Bota

Ushtria izraelite shkatërron në Bregun Perëndimor shtëpinë e familjes së palestinezit të burgosur

Ushtria izraelite bastisi qytetin Al-Khalil në jug të Bregut Perëndimor me një numër të madh ushtarësh

Muhammed Emin Canik  | 07.08.2025 - Përdıtësım : 07.08.2025
Ushtria izraelite shkatërron në Bregun Perëndimor shtëpinë e familjes së palestinezit të burgosur Foto: Mamoun Wazwaz/AA

Stamboll

Ushtria izraelite hodhi në erë me eksplozivë në qytetin e Al-Khalil të Bregut Perëndimor të pushtuar, shtëpinë e familjes së një palestinezi të burgosur, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite bastisi qytetin Al-Khalil në jug të Bregut Perëndimor me një numër të madh ushtarësh.

E pozicionuar në zonën Wadi al-Bass të lagjes Abu Katilah të qytetit, ushtria izraelite bllokoi rrugët dhe kufizoi lirinë e lëvizjes së banorëve.

Ushtria izraelite hapi zjarr ndaj shtëpive dhe automjeteve palestineze, si dhe hodhi granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës.

Gjithashtu ushtria izraelite bastisi shtëpinë e familjes së të burgosurit palestinez Abd al-Rahim al-Haymuni dhe largoi me forcë banorët.

Pasi njoftoi urdhrin e prishjes në fund të qershorit, ushtria izraelite hodhi në erë me eksplozivë dy kate të shtëpisë katërkatëshe që i përkiste familjes Heymuni.

Pjesët e mbetura të shtëpisë pësuan dëme të mëdha, duke e bërë atë të pabanueshme.

Që kur Izraeli nisi sulmin e tij kundër Rripit të Gazës më 7 tetor 2023, ka pasur një rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve që shënjestrojnë palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar.

Ushtria izraelite shpeshherë shkatërron strukturat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, duke pretenduar se ato janë "pa leje".

Në një deklaratë nga Këshilli për luftën kundër Murit Ndarës (Murit të Turpit) dhe me Vendbanimet Kolone i lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) u theksua se 1.821 sulme u kryen në korrik kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, ndërsa 1.355 nga këto sulme u kryen nga ushtarë izraelitë dhe 466 nga izraelitë që kanë uzurpuar tokat palestineze.

Raporti gjithashtu tha se autoritetet izraelite kanë sekuestruar 31 dynym tokë në korrik dhe lëshuan pesë urdhra ushtarakë me pretendimin për krijimin e "zonës së sigurisë" përreth tre vendbanimeve.

Gjatë së njëjtës periudhë, u kryen 75 shembje, përfshirë gjithsej 71 shtëpi (60 të banuara dhe 11 të zbrazëta), 22 struktura bujqësore dhe 26 biznese tregtare. Gjithashtu u raportua se 33 komunitete beduine janë zhvendosur me forcë që nga 7 tetori 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.