Bota

Ushtria izraelite kreu sulm artilerik ndaj spitalit "Nasser" në Khan Younis

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se ushtria izraelite shënjestroi me zjarr artilerie spitalin "Nasser" në qytetin Khan Yoinis dhe se në sulm humbi jetën një fëmijë

Gülşen Topçu  | 18.12.2023 - Përdıtësım : 18.12.2023
Ushtria izraelite kreu sulm artilerik ndaj spitalit "Nasser" në Khan Younis Foto: Belal Khaled/AA

Gaza

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se ushtria izraelite shënjestroi me zjarr artilerie spitalin "Nasser" në qytetin Khan Yoinis dhe se në sulm humbi jetën një fëmijë, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra në një deklaratë me shkrim tha se predha e topit goditi murin e spitalit por nuk shpërtheu. Ai thekson se ka humbur jetën vajza 13-vjeçare Dunya Ebu Muhsin e cila po trajtohej në departamentin ku ndodhi sulmi dhe se si pasojë u plagosën 3 persona të tjerë.

Ai tha se Ebu Muhsin kishte të amputuar këmbën si pasojë e një sulmi me të cilin ishte përballur në Khan Younis. "Sikur predha të kishte shpërthyer, do të kishte shkaktuar katastrofë të madhe", deklaroi zëdhënësi.

Në një deklaratë tjetër, Al-Qudra tha se forcat izraelite kryen bastisje ndaj spitalit "Al-Awda" në veri dhe se punonjësit e spitalit u ndaluan për 4 orë. "Ushtarët ndaluan drejtorin e spitalit Ahmed Muhanna dhe personelin shëndetësor, i zhveshën dhe i liruan pasi i morën në pyetje nën kushte çnjerëzore për 4 orë", tha ai duke shtuar se Muhanna nuk u lirua dhe se është dërguar në një lokacion të panjohur.

Al-Qudra tha se kanë frikë se këtu mund të përsëritet situata e njëjtë ashtu si në spitalin "Kamal Adwan". Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e spitalit dhe personelit shëndetësor.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze në një deklaratë me shkrim tha se janë të shqetësuar nga sulmi ndaj spitalit "Nasser". Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbrojë personelin shëndetësor dhe këto institucione nga shkeljet kundër spitaleve dhe institucioneve shëndetësore.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.