Ushtria izraelite kreu bastisje në qytete të Bregut Perëndimor, evakuon me forcë familjet palestineze
Hyrjet e Nablusit dhe Khalilit janë mbyllur nga forcat izraelite, sipas dëshmitarëve
Nablus
Ushtria izraelite sulmoi qytetin e Nablusit në Bregun Perëndimor dhe vendosi përforcime të mëdha ushtarake në perëndim të qytetit, raporton Anadolu.
Dëshmitarët i thanë Anadolu-t se forcat izraelite mbyllën hyrjet në rrethrrotullimin Zawata dhe zonën përreth në Nablusin perëndimor dhe evakuuan me forcë disa familje palestineze nga shtëpitë në përgatitje për t'i shkatërruar ato me eksplozivë, nën pretekstin e shqetësimeve për sigurinë.
Të hënën në mbrëmje, forcat izraelite sulmuan qytetin Khalil (Hebron) në Bregun Perëndimor, pas plagosjes së një ushtari izraelit në një sulm me makinë pranë vendbanimit Kiryat Arba.
Dëshmitarët i thanë AA-së se forcat izraelite hynë në qytet nga disa drejtime dhe i mbyllën hyrjet me pika kontrolli ushtarake. Ndërkohë, agjencia zyrtare e lajmeve WAFA raportoi se forcat izraelite bastisën afërsinë e disa spitaleve në Khalil dhe u vendosën në hyrjet e tyre.
Ushtria izraelite tha të martën se personi pas sulmit me makinë u vra në Khalil. Incidenti vjen mes një rritjeje të paparë të sulmeve të ushtrisë izraelite dhe të kolonëve të paligjshëm kundër palestinezëve, pronës së tyre dhe mjeteve të tyre të jetesës në të gjithë Bregun Perëndimor.
Më shumë se 1.085 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 10.700 të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë dhe kolonëve të paligjshëm izraelitë në territorin e pushtuar. Mbi 20.500 persona janë arrestuar gjithashtu.
Në një vendim historik në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsit Lindor.
