Ushtria izraelite dhe izraelitët kryen 2.144 sulme gjatë nëntorit në Bregun Perëndimor
Në raport theksohet se këto sulme janë një vazhdim i aktiviteteve të vazhdueshme terroriste të "shtetit terrorist" të Izraelit kundër popullit, tokave dhe pronës palestineze
Stamboll
Ushtria izraelite dhe izraelitët që uzurpojnë tokat palestineze në muajin nëntor kanë kryer 2.144 sulme në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Këshilli Kundër Murit të Ndarjes dhe Vendbanimeve Hebraike, i lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), publikoi raportin e tij të nëntorit mbi shkeljet dhe praktikat e zgjerimit kolonial të Izraelit.
Në raportin e këshillit theksohet se ushtria izraelite ka kryer 1.523 sulme në Bregun Perëndimor në nëntor, ndërsa izraelitët që uzurpojnë tokat palestineze kanë kryer 621 sulme. Gjithashtu bën të ditur se këto sulme janë një vazhdim i aktiviteteve të vazhdueshme terroriste të "shtetit terrorist" të Izraelit kundër popullit, tokave dhe pronës palestineze.
Raporti vuri në dukje se sulmet kanë qenë veçanërisht të intensifikuara në rajonet Ramallah, Hebron, Betlehem dhe Nablus, ku përkatësisht janë kryer 360 sulme në Ramallah, 348 në Hebron, 342 në Betlehem dhe 334 në Nablus.
Sulmet përfshijnë sulme të drejtpërdrejta fizike, shkatërrimin e pemëve, djegien e fushave, pengimin e vjelësve të ullinjve nga hyrja në fushat e tyre, konfiskimin e pronës dhe prishjen e shtëpive dhe objekteve bujqësore.
Këto shkelje në rritje konfirmojnë se këto ngjarje nuk janë incidente të izoluara, përkundrazi janë një qasje sistematike dhe e organizuar që synon pastrimin e tokave nga banorët e tyre dhe imponimin e një sistemi gjithëpërfshirës kolonial racist, thuhet në raport. Gjithashtu theksohet se izraelitët, të cilët kanë uzurpuar tokat palestineze, kanë çrrënjosur dhe shkatërruar 1.986 pemë, 466 prej të cilave ishin ullinj, në sulme të kryera me mbështetjen e ushtrisë izraelite.
Raporti vuri në dukje se izraelitët, të cilët kanë uzurpuar tokat palestineze, po përpiqen të krijojnë 19 vendbanime të reja. Ai gjithashtu thekson se kjo mund të bëhet vetëm me urdhra të qartë nga niveli politik i Shtetit "pushtues" të Izraelit, duke synuar të imponojnë një fakt të kryer në terren dhe të fragmentojnë më tej territoret palestineze.
Raporti i këshillit informon se Izraeli ka sekuestruar 2.800 dynymë tokë palestineze nëpërmjet "demarkacionit të tokave shtetërore, shpronësimit dhe vendimeve të sekuestrimit".
Raporti thekson se pengimi i vazhdueshëm i aktiviteteve të ndërtimit palestinez nga Izraeli dhe kufizimet në zhvillimin natyror të fshatrave dhe qyteteve palestineze janë dokumentuar në 46 prishje që kanë prekur 76 struktura dhe se janë lëshuar 51 njoftime prishjeje për struktura të tjera.
Raporti gjithashtu vuri në dukje se autoritetet izraelite të planifikimit kanë shqyrtuar 23 plane strukturore në nëntor, 19 prej të cilave përfshinin vendbanime në Bregun Perëndimor dhe 4 brenda komunës izraelite në Kuds.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
