Ushtria e Sudanit hyn në qytetin e Kordofanit Jugor pas një rrethimi 2-vjeçar nga RSF-ja paramilitare
RSF-ja ka mbajtur rrethim shkatërrues mbi Dilling që nga janari 2024
Khartoum/Stamboll
Forcat e ushtrisë sudaneze i dhanë fund të hënën një rrethimi dyvjeçar të vendosur nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) paramilitare mbi qytetin Dilling, qyteti i dytë më i madh në Kordofanin Jugor, njoftoi ushtria, transmeton Anadolu.
Një deklaratë ushtarake tha se forcat e ushtrisë hapën rrugën e Dilling "pas një operacioni të suksesshëm ushtarak që rezultoi në shkatërrimin dhe mposhtjen e milicisë RSF".
Ajo shtoi se forcat ushtarake shkaktuan humbje të mëdha në jetë dhe pajisje për milicinë RSF.
Ushtria premtoi "të vazhdojë pastrimin e vendit nga milicia RSF deri në rikthimin e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë vendin".
Sipas dëshmitarëve, forcat sudaneze arritën të hyjnë në qytetin e rrethuar pas përleshjeve me RSF-në dhe aleatin e saj, Lëvizjen për Çlirimin e Popullit të Sudanit-Veri (SPLM-N).
Grupime të mëdha banorësh dolën për të mirëpritur forcat e ushtrisë ndërsa hynin në zonë, thanë dëshmitarët.
Ushtarët sudanezë ndanë videoklipet në mediat sociale që tregojnë festimet e trupave dhe qytetarëve brenda Dilling.
Nuk pati komente të menjëhershme nga RSF për raportin.
Grupi rebel ka mbajtur një rrethim shkatërrues mbi Dilling që nga janari 2024.
Nga 18 shtetet e Sudanit, RSF-ja kontrollon të gjitha pesë shtetet në rajonin perëndimor të Darfurit, përveç disa pjesëve të Darfurit Veriror që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ushtria mban shumicën e zonave të 13 shteteve të tjera në jug, veri, lindje dhe qendër të vendit, përfshirë kryeqytetin Khartoum.
Konflikti midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, i cili filloi në prill 2023, ka shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve dhe ka detyruar miliona të shpërngulen.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
