Uria në Gaza brenda 24 orëve merr 8 jetë të tjera, përfshirë 2 fëmijë
Numri i të vdekurve nga uria e imponuar nga Izraeli që nga fillimi i krizës është rritur në 281, përfshirë 114 fëmijë
Ankara
Tetë palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja e shkaktuar nga bllokata izraelite në Gaza gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga uria në 281 që nga fillimi i krizës humanitare, transmeton Anadolu.
Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Munir al-Bursh, në platformën sociale të kompanisë amerikane X tha se midis viktimave 114 janë fëmijë.
"Uria po shkatërron në heshtje trupat e civilëve, duke i privuar fëmijët nga e drejta e tyre për jetë dhe duke i kthyer tendat dhe spitalet në skena të përditshme tragjedie", tha al-Bursh.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 62.300 palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri të rëndë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
