UNRWA: Një në tre fëmijë nën 3-vjeç në Gaza i ka kaluar 24 orët e fundit pa ushqim
Theksohet se një në tre fëmijë nën moshën tre vjeç në Rripin e Gazës, ku Izraeli imponon urinë, ka mbetur pa ushqim në 24 orët e fundit

Stamboll
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) njoftoi se një në tre fëmijë në Rripin e Gazës që ndodhet nën sulmet izraelite dhe bllokadën që pengon hyrjen e ndihmës humanitare, ka mbetur pa ushqim në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu.
UNRWA përmes një postimi në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, ndau informacion në lidhje me situatën e fëmijëve në Gaza.
Theksohet se një në tre fëmijë nën moshën tre vjeç në Rripin e Gazës, ku Izraeli imponon urinë, ka mbetur pa ushqim në 24 orët e fundit.
Në postim vihet theksi mbi ndikimin jashtëzakonisht negativ të sulmeve izraelite mbi fëmijët dhe fëmijërinë e tyre ndërsa vihet në dukje se shumë fëmijë në Gaza detyrohen të punojnë ose të lypin.
Gjithashtu në deklaratë theksohet se fëmijët në Rripin e Gazës kanë nevojë për armëpushim.
- Gaza po vdes nga "uria"
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe një rrethimi të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.
Vdekjet nga uria, veçanërisht midis fëmijëve, po rriten në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare thonë se Izraeli përdor "urinë dhe etjen si armë".
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër dëbimi në zonat ku ata janë strehuar.
Raportohet se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e deportimit izraelit në Gaza, e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, ka arritur në 2 milionë dhe shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku furnizimet higjienike janë të pakta dhe sëmundjet infektive janë të përhapura.
Me sulme të përditshme ushtria izraelite bombardon tendat e të zhvendosurve dhe strehimoret civile ku ata strehohen.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.