Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik me programe të dalluara në inxhinierinë kompjuterike dhe inteligjencën artificiale
Këto programe ofrohen nën Fakultetin e Inxhinierisë ndërsa universiteti thotë se reflektojnë angazhimin e tij për rigorozitet akademik, ekspertizë praktike dhe formimin e profesionistëve inovatorë

Shkup
Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup po përcakton standarde të reja në arsimin teknologjik në rajon përmes programeve të tij të dalluara të Inxhinierisë Kompjuterike dhe Inteligjencës Artificiale, transmeton Anadolu.
Këto programe ofrohen nën Fakultetin e Inxhinierisë ndërsa universiteti thotë se reflektojnë angazhimin e tij për rigorozitet akademik, ekspertizë praktike dhe formimin e profesionistëve inovatorë, të gatshëm të kontribuojnë në avancimet globale teknologjike.
- Programi i Inxhinierisë Kompjuterike
Programi Bachelor në Inxhinierinë Kompjuterike në IBU synon të pajisë studentët me një kuptim të thellë të shkencës kompjuterike dhe parimeve të inxhinierisë elektrike. Kurrikula përfshin fusha kyçe si matematika, shkencat natyrore dhe inxhinieria, duke i përgatitur studentët për të dizajnuar, analizuar dhe optimizuar sistemet softuerike dhe harduerike.
- Inxhinieria e Inteligjencës Artificiale
Programi Bachelor në Inxhinierinë e Inteligjencës Artificiale në IBU është iniciativë që synon të zotërojë kapacitetet transformuese të AI-së. Programi trajnon studentët për interpretimin e të dhënave të mëdha, aplikimin e algoritmeve të mësimit makinerik dhe zhvillimin e sistemeve inteligjente që përmirësojnë proceset e marrjes së vendimeve.
Kurrikula mbulon fusha si mësimi makinerik, mësimi i thellë, rrjetet nervore dhe llogaritja simbolike, duke ofruar një kuptim të plotë të mënyrës se si ndërtohen dhe optimizohen sistemet inteligjente.
- Studime të avancuara në Inxhinierinë Kompjuterike
Programet Master dhe Doktoratë në Inxhinierinë Kompjuterike në IBU ofrojnë trajnim të specializuar në fusha të avancuara si rrjetet kompjuterike, sistemet e integruara, inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike.
Kurrikula e masterit fokusohet në mësim projektesh dhe bashkëpunim me industrinë, ndërsa programi i doktoratës është i strukturuar për të nxitur kërkimin e pavarur dhe analizën kritike në studimet teknologjike të avancuara.
- BIT Loft: Një Qendër Inovacioni dhe Bashkëpunimi
BIT Loft (Balkan Information Technology Loft), i vendosur në kampusin studentor të IBU-së, përfaqëson një epiqendër moderne për bashkëpunim, inovacion dhe eksplorim teknologjik. BIT Loft është një hapësirë ku studentët, profesionistët dhe entuziastët e teknologjisë bashkohen për të zhvilluar projekte dhe për të angazhuar zgjidhje teknologjike pionierë.
- “Programet tona përgatisin studentët të udhëheqin në botën teknologjike që evoluon vazhdimisht”
Prof. dr. Lutfi Sunar, Rektor i IBU-së, në lidhje me këto programe të universitetit, tha se si universitet, janë të përkushtuar për të nxitur inovacionin dhe ekselencën në fushën e inxhinierisë kompjuterike dhe inteligjencës artificiale.
“Programet tona janë të dizajnuara jo vetëm për të dhënë njohuri, por edhe për t’i përgatitur studentët tanë të udhëheqin në një botë teknologjike që evoluon vazhdimisht”, tha Sunar.
“Qasja jonë bazohet në realitetet e transformimit digjital të sotëm, të udhëhequr nga përparimet e shpejta teknologjike. Ne duam që të diplomuarit tanë të mos të ndjekin vetëm ritmin e teknologjisë, por edhe të formojnë të ardhmen e saj”, shtoi ai.
Ai tha po ashtu se universiteti i jep rëndësi edhe përgjegjësisë etike në AI.
“Është thelbësore që të diplomuarit tanë të kuptojnë implikimet shoqërore, ligjore dhe morale të teknologjisë që zhvillojnë”, theksoi rektori.
Ndërkaq, ai tha se programet pasuniversitare janë të përshtatura për të formuar kërkues dhe inovatorë që kontribuojnë në mënyrë globale në avancimin e inxhinierisë kompjuterike dhe shkencave të informacionit.
Në lidhje me qendrën BIT Loft, ai tha se ajo “simbolizon angazhimin tonë për të lidhur teorinë me praktikën, duke nxitur sipërmarrjen dhe bashkëpunimin midis studentëve dhe profesionistëve”.
Ndryshe, pranimi në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik tashmë është hapur. Universiteti inkurajon të gjithë të interesuarit të vizitojnë faqen zyrtare (www.ibu.edu.mk) dhe të aplikojnë (hello.ibu.edu.mk/apply) për t’u bërë pjesë e programeve inovative në Inxhinierinë Kompjuterike dhe Inteligjencën Artificiale.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.