Bota

UNICEF-i: Armëpushimi në Gaza, “mundësi jetike” për 1 milion fëmijë në nevojë

“Fjalët dhe shifrat nuk mund ta përshkruajnë dot përmasën e ndikimit që pashë tek fëmijët – një ndikim që do të zgjasë për breza të tërë”, tha drejtori rajonal i UNICEF-it.

Betül Yılmaz  | 26.10.2025 - Përdıtësım : 26.10.2025
UNICEF-i: Armëpushimi në Gaza, “mundësi jetike” për 1 milion fëmijë në nevojë

Stamboll

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha të dielën se marrëveshja për armëpushim në Gaza përbën një “mundësi jetike” për të mbrojtur një milion fëmijë në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.

“Operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës kanë shkaktuar shkatërrim të plotë. Fjalët dhe shifrat nuk mund ta përshkruajnë dot përmasën e ndikimit që pashë tek fëmijët – një ndikim që do të zgjasë për breza të tërë”, tha në një deklaratë Drejtori Rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder.

Ai theksoi se armëpushimi në Gaza, i cili “ofron një mundësi jetike për mbijetesën, sigurinë dhe dinjitetin e fëmijëve”, nuk duhet të dështojë.

“Do të duhet kohë, por një e ardhme gjithëpërfshirëse që vë në qendër të drejtat e një milion fëmijëve të Gazës është e mundur përmes paqes, veprimit dhe vullnetit të përbashkët”, tha Beigbeder.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 64.000 fëmijë janë vrarë ose plagosur, dhe mbi 58.000 kanë humbur një prind që nga shpërthimi i luftës gjenocidale të Tel Avivit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023.

“Një milion fëmijë kanë përjetuar tmerrin e përditshëm të mbijetesës në vendin më të rrezikshëm në botë për të qenë fëmijë, duke mbetur me plagë frike, humbjeje dhe dhimbjeje”, tha Beigbeder.

Ai shtoi se UNICEF-i po punon për t’i shpëtuar fëmijët nga “kërcënimet e parandalueshme si kequshqyerja, sëmundjet dhe i ftohti dimëror”.

UNICEF-i ka siguruar arsim ballë për ballë për mbi 100.000 fëmijë palestinezë në Gaza, ndërsa po punohet për të rikthyer të gjithë 650.000 fëmijët e moshës shkollore në procesin mësimor.

“Rëndësia e rikthimit të arsimit në këtë fazë të hershme të rimëkëmbjes nuk mund të nënvlerësohet. Pas dy vitesh të humbura, familjet e dinë se rikthimi në arsim të rregullt do të krijojë një themel për të mësuar, për t’u shëruar, për të shpresuar dhe për kohezion afatgjatë shoqëror në komunitetet e tyre”, tha ai.

Drejtori rajonal bëri thirrje për “lëvizje të sigurt, të shpejtë dhe të pakufizuar” të ndihmës humanitare drejt Rripit të Gazës, duke vënë në dukje një rritje të sasisë së ndihmave të lejuara nga UNICEF-i, të cilat megjithatë mbeten të pamjaftueshme për nevojat e civilëve në Gaza.

Ai kërkoi që Izraeli të hapë njëkohësisht të gjitha pikat kufitare për hyrjen e ndihmave humanitare dhe pajisjeve të nevojshme, duke lejuar që ndihmat të kalojnë nëpër të gjitha rrugët e mundshme të furnizimit, përfshirë ato përmes Egjiptit, Izraelit, Jordanisë dhe Bregut Perëndimor.

“Kompletet arsimore të UNICEF-it dhe mbështetja psikologjike e shëndetit mendor janë bllokuar për më shumë se një vit. Këto komplete duhet të hyjnë menjëherë”, shtoi ai.

Faza e parë e armëpushimit hyri në fuqi në Gaza më 10 tetor, sipas një plani 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump.

Faza e parë përfshin lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa praninë e Hamasit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ushtria izraelite ka vrarë mbi 68.000 persona dhe ka plagosur më shumë se 170.000 të tjerë në luftën brutale në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın