UNICEF: Fëmijët në Gaza vuajnë për shkak të bllokadës dhe bombardimeve izraelite
"Pas pothuajse dy vitesh tmerresh që familjet kanë duruar, çdo aspekt i jetës së një fëmije është prekur", tha për AA-në, Tess Ingram, menaxhere e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut

Ankara
UNICEF-i ka ngritur alarmin për krizën humanitare në thellim në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se pothuajse dy vjet bllokadë dhe bombardime izraelite kanë shkatërruar shëndetin, arsimin dhe mirëqenien mendore të fëmijëve, raporton Anadolu.
"Pas pothuajse dy vitesh tmerresh që familjet kanë duruar, çdo aspekt i jetës së një fëmije është prekur", tha të premten për AA-në, Tess Ingram, menaxhere e komunikimit të UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
"Fëmijët nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë. Ata nuk kanë ujë të sigurt. Ata përpiqen vazhdimisht të qëndrojnë të sigurt nga bombardimet që vazhdojnë të kërcënojnë jetën e tyre. Sëmundjet po përhapen dhe fëmijët sapo kanë humbur vitin e tretë të shkollës", tha ajo.
UNICEF vlerëson se më shumë se 700 mijë fëmijë duhet të ishin kthyer në shkollë në shtator, por arsimi formal mbetet i pezulluar.
"Për të tretin vit radhazi, mësimet nuk po zhvillohen këtu në Rripin e Gazës dhe kjo i vë fëmijët në rrezik, jo vetëm për të nxënit (mësimin) e tyre, por edhe për shëndetin e tyre social, emocional dhe mendor", shtoi Ingram.
Ajo tha se UNICEF-i po ofron ndihmë shpëtimtare, siç është trajtimi i kequshqyerjes, furnizimi me ujë, komplete higjienike për të frenuar sëmundjet si dhe pajisje mjekësore për spitalet, veçanërisht për foshnjat e parakohshme dhe foshnjat e kequshqyera.
"Ne po kontrollojmë mijëra fëmijë për kequshqyerje dhe po u japim trajtimet që u nevojiten për të mbijetuar", tha ajo.
Pasi vuri në dukje se ndihma mbetet shumë e kufizuar, Ingram tha: "Ndihma po kufizohet, nuk po vjen mjaftueshëm ndërsa UNICEF-i dhe agjencitë e tjera të OKB-së përballen me pengesa burokratike dhe operacionale që na pengojnë të punojmë në mënyrë efikase". Kjo është katastrofë sepse fëmijët vuajnë kur nuk mund t'u sjellim furnizime ushqimore ose ujë të sigurt", shpjegon ajo.
Ingram paralajmëroi për përshkallëzimin e aktivitetit ushtarak izraelit në qytetin e Gazës.
"Për shumë familje, nuk ka zgjedhje të mirë, të qëndrojnë në një mjedis të rrezikshëm ose të zhvendosen diku që nuk është i sigurt. Kjo zonë e ashtuquajtur humanitare në Al-Mawasi nuk është e sigurt. I mungon ushqimi, uji dhe strehimi, dhe vetëm javën e kaluar, tetë fëmijë u vranë atje ndërsa përpiqeshin të kishin akses në ujë", tha ajo.
Pavarësisht vështirësive, ajo vlerësoi qëndrueshmërinë e banorëve të Gazës duke thënë: "Kam parë humanizëm dhe vendosmëri të jashtëzakonshme".
Zyrtarja e UNICEF-it duartrokiti përpjekjet ndërkombëtare për të ofruar ndihmë. Ajo tha se një flotilje që përpiqet të sjellë ndihma në Gaza do të ishte "një hap i rëndësishëm në sigurimin e rritjes së ndihmës", ndërsa vuri në dukje se rrugët tokësore mbeten mënyra më efektive për të sjellë vëllime të mëdha furnizimesh.
Flotilja Globale "Sumud" me destinacion Gazën përfshin rreth 36 anije që transportojnë 500 deri në 700 aktivistë nga më shumë se 40 vende. Organizatorët thonë se qëllimi i tyre është të sfidojnë bllokadën izraelite dhe të ofrojnë ndihmë humanitare.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë më shumë se 64.700 palestinezë në sulmin e tij në Rripin e Gazës. Enklava mbetet nën bllokadë, me kalime të mbyllura dhe mungesa të mëdha ushqimi, uji, ilaçesh dhe karburanti.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.