Bota

Ukraina zhvillon takime "produktive" me partnerët amerikanë dhe evropianë në përpjekjet për paqe

Delegacionet përqendrohen në planin 20-pikësh, garancitë e sigurisë dhe kuadrin e rimëkëmbjes ekonomike

Muhammed Yasin Güngör  | 22.12.2025 - Përdıtësım : 22.12.2025
Ukraina zhvillon takime "produktive" me partnerët amerikanë dhe evropianë në përpjekjet për paqe

Stamboll

Ukraina zhvilloi takime "produktive" me partnerët amerikanë dhe evropianë gjatë tre ditëve në shtetin amerikan të Floridës, si pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare Rusi-Ukrainë, sipas një deklarate të përbashkët të dielën, transmeton Anadolu

"Delegacioni ukrainas zhvilloi një sërë takimesh produktive dhe konstruktive me partnerët amerikanë dhe evropianë", thuhet në deklaratën e ndarë nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, në platformën e kompaninë amerikane të mediave sociale X.

Takimi SHBA-Ukrainë u përqendrua në katër dokumente kryesore, duke përfshirë zhvillimin e mëtejshëm të një plani 20-pikësh, përafrimin e qëndrimeve mbi kornizat shumëpalëshe dhe ato të garancisë së sigurisë amerikane për Ukrainën, dhe avancimin e një plani ekonomik dhe prosperiteti për rimëkëmbjen e vendit.

"Vëmendje e veçantë iu kushtua diskutimit të afateve kohore dhe renditjes së hapave të ardhshëm", sipas deklaratës.

Ukraina mbetet “plotësisht e përkushtuar për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, me përparësi të përbashkëta për ndalimin e vrasjeve, sigurimin e sigurisë së garantuar dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje, stabilitet dhe prosperitet afatgjatë, shtoi deklarata.

"Paqja nuk duhet të jetë vetëm një ndërprerje e armiqësive, por edhe një themel dinjitoz për një të ardhme të qëndrueshme", thuhet në deklaratë.

Ukraina "vlerëson shumë" udhëheqjen dhe mbështetjen e SHBA-së dhe vazhdimin e koordinimit të ngushtë me partnerët në fazat e ardhshme të kësaj pune, sipas deklaratës.

Takimet janë të fundit në një seri takimesh të fokusuara në një kornizë paqeje.

Të dërguarit e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, zhvilluan bisedime me zyrtarë ukrainas dhe evropianë në Gjermani fundjavën e kaluar dhe në fillim të javës.

Në nëntor, SHBA-ja dhe Ukraina u takuan në Gjenevë dhe hartuan një "kornizë të rafinuar paqeje".

Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit dhe këshilltari jozyrtar, më pas u takuan me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë më 2 dhjetor për të diskutuar draftin.

Më vonë, delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës zhvilluan bisedime pasuese në Florida, të cilat të dyja palët i përshkruan si konstruktive.

Ndërkohë, i dërguari presidencial rus, Kirill Dmitriev, fluturoi gjithashtu për në Miami për bisedime me zyrtarët amerikanë dhe tha se diskutimet po vazhdojnë "në mënyrë konstruktive".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.