Bota

Ukraina: Të paktën 16 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga sulmi rus në Ternopil

Kievi raportoi një nga ofensivat më të mëdha të kombinuara me dronë e raketa kundër infrastrukturës energjetike dhe civile të vendit në muajt e fundit

Alperen Aktaş  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Ukraina: Të paktën 16 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga sulmi rus në Ternopil

Istanbul

Autoritetet ukrainase thanë se të paktën 16 persona u vranë dhe 64 u plagosën pasi një sulm rus goditi qytetin perëndimor Ternopil herët sot, ndërsa Kievi raportoi një nga ofensivat më të mëdha të kombinuara me dronë e raketa kundër infrastrukturës energjetike dhe civile të vendit në muajt e fundit, transmeton Anadolu.

Departamenti i komunikimit i policisë rajonale të Ternopilit tha se ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë 45 persona nga rrënojat. "Deri në orën 12:00 dihet se 16 persona kanë humbur jetën dhe 64 të tjerë janë plagosur, përfshirë 14 fëmijë", tha departamenti.

Në një deklaratë tjetër, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 48 raketa dhe 476 dronë nga disa drejtime, me objektiva kryesore rajonet Lviv, Ternopil dhe Kharkiv. Sipas tyre, mbrojtja ajrore rrëzoi ose neutralizoi 483 nga 524 mjetet ajrore të zbuluara, përfshirë 442 dronë, 34 raketa lundrimi "Kh-101" dhe shtatë "Kalibr".

Zyrtarët e Forcave Ajrore thanë se sulmi filloi të martën në mbrëmje dhe përfshiu dronë të tipit "Shahed", dronë të tipit "Gerbera" dhe raketa lundrimi të lëshuara nga rajone të Rusisë dhe nga Krimea e pushtuar. Shtatë raketa dhe 34 dronë goditën 14 lokacione ndërsa rënia e fragmenteve u regjistrua në gjashtë zona.

Sulmi ndaj Ternopilit më herët vrau 10 persona dhe plagosi 37, sipas raporteve fillestare, por autoritetet e përditësuan bilancin ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijuan. Ndërkohë, Moska pretendon se forcat e saj kryen "sulm masiv me armë të sakta me rreze të gjatë veprimi" ndaj asaj që e përshkroi si objekte ushtarako-industriale dhe energjetike të Ukrainës në rajonet perëndimore.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmi, i cili përfshiu raketa hipersonike "Kinzhal" dhe dronë sulmues, u krye "në përgjigje" të asaj që e quajti sulme ukrainase ndaj objekteve civile në Rusi. Ajo pohoi se "të gjitha objektivat e përcaktuara janë goditur", një pretendim që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın