Ukraina thotë se ka eliminuar "agjentët rusë" të dyshuar për vrasjen e oficerit të inteligjencës
Shërbimi i Sigurisë tha se dy të dyshuar u vranë ndërsa rezistuan gjatë "operacionit special" për t'i ndaluar ata në rajonin e Kievit.

Stamboll
Ukraina pretendoi sot se shërbimet e saj të sigurisë kanë vrarë dy “agjentë rusë” të dyshuar për përfshirje në të shtënat fatale ndaj një koloneli të Shërbimit të Sigurisë (SBU) në kryeqytetin Kiev javën e kaluar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, SBU-ja tha se dy “agjentët e shërbimeve speciale ruse” u vranë pasi rezistuan ndaj përpjekjeve për t’i ndaluar gjatë një “operacioni special” të mëngjesit në rajonin e Kievit.
Njoftimi erdhi disa ditë pas vrasjes së Kolonelit të SBU-së Ivan Voronych në Kiev, gjë që shkaktoi një hetim të profilit të lartë.
Operacioni u mbikëqyr nga shefi i SBU-së Vasyl Maliuk, tha deklarata, duke shtuar se hetimi në vazhdim përcaktoi se të dy të dyshuarit – një burrë dhe një grua – kanë kryer vrasjen “me udhëzimet e Shërbimit Federal të Sigurisë të Federatës Ruse”.
“Mbikëqyrësi i tyre i urdhëroi ata të monitoronin oficerin e SBU-së, të regjistronin orarin e tij të përditshëm dhe rrugët e udhëtimit. Më vonë, informatori u dha vrasësve koordinatat e lokacionit ku ndodhej pistoleta me silenciator”, shtoi deklarata.
Maliuk gjithashtu falënderoi personelin nga Policia Kombëtare e Ukrainës për mbështetjen e tyre gjatë operacionit.
Policia tha në një deklaratë në Telegram se të dyshuarit ishin shtetas të huaj, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga autoritetet ruse në lidhje me këtë pretendim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.