Ukraina: Të paktën 11 të vrarë dhe 31 të plagosur në sulme ruse
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tha se ushtria ruse kreu sulme me raketa dhe dronë në pjesë të ndryshme të vendit.

Kiev
KIEV (AA) - Të paktën 11 persona u vranë dhe 31 u plagosën në sulmet e kryera nga ushtria ruse në Ukrainë duke përdorur raketa dhe mjete ajrore pa pilot (UAV), thanë autoritetet ukrainase, transmeton Anadolu.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tha në Telegram se ushtria ruse kreu sulme me raketa dhe dronë në pjesë të ndryshme të vendit.
Siç thuhet, katër persona janë vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur në një nga sulmet në rajonin e Kievit, përfshirë tre fëmijë.
Shërbimi i emergjance tha po ashtu se tre fëmijë humbën jetën dhe dhjetë persona u plagosën në në rajonin Zhytomyr.
Ndërkaq, kreu i Administratës Ushtarake të Rajonit Khmelnitsky, Sergiy Tyurin, në një postim në llogarinë e tij në Telegram, tha se katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi në këtë rajon.
Në vend janë duke vazhduar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
- "Në vend të armëpushimit, po kryhen vrasje"
Shefi i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, reagoi ndaj sulmeve ruse me një deklaratë që bëri në llogarinë e tij në Telegram.
Duke vënë në dukje se civilët ishin shënjestër e sulmeve, Yermak tha: “Ushtria ruse vrau fëmijë dhe civilë sonte me raketa dhe dronë. Në vend të armëpushimit, po kryhen vrasje.
Yermak theksoi se kanë qenë të gatshëm për një armëpushim për një kohë të gjatë dhe se presioni ndaj Rusisë duhet të rritet.
“Pa presion, asgjë nuk do të ndryshojë. Rusia dhe aleatët e saj nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të mbledhin forcë për vrasje të tilla edhe në vendet perëndimore”, shtoi ai.