Ukraina: Sulmet ruse kanë lënë pa ngrohje edhe 2.600 ndërtesa të larta në Kiev
Kryebashkiaku i Kievit deklaroi se infrastruktura kritike në kryeqytet ishte në shënjestër të sulmeve
Kiev
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko, njoftoi se edhe 2.600 ndërtesa të larta në qytet kanë mbetur pa ngrohje si rezultat i sulmeve të fundit ajrore ruse, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetet sociale, Klitschko publikoi "pasojat e sulmeve ajrore" të kryera nga Rusia në Kiev gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit.
Kryebashkiaku deklaroi se infrastruktura kritike në kryeqytet ishte në shënjestër të sulmeve, duke thënë: "Pas sulmit intensiv, afërsisht 2.600 ndërtesa të larta në kryeqytet kanë mbetur pa ngrohje për shkak të dëmeve të shkaktuara në infrastrukturën e synuar nga armiku. Këto ndërtesa janë të vendosura në të dyja anët e majta dhe të djathta të qytetit".
Klitschko theksoi se kanë filluar përpjekjet për të rikthyer ngrohjen në këto ndërtesa.
Duke kujtuar se më shumë se 1.100 ndërtesa të larta në qytet ishin tashmë pa ngrohje si rezultat i sulmeve të mëparshme ruse, Klitschko deklaroi se ngrohja ende nuk është rikthyer në këto ndërtesa.
Klitschko deklaroi gjithashtu këtë mëngjes se dy persona u plagosën në Kiev për shkak të sulmeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
