Bota

Ukraina: Sistemi energjetik nën presion për shkak të sulmeve të Rusisë

Granatimet sistematike nga Rusia lënë mesatarisht rreth 400 mijë konsumatorë pa energji elektrike çdo ditë, veçanërisht në rajonet kufitare dhe ato të vijës së frontit, tha ministri në detyrë i Energjisë i Ukrainës

Alperen Aktaş  | 17.12.2025 - Përdıtësım : 17.12.2025
Ukraina: Sistemi energjetik nën presion për shkak të sulmeve të Rusisë

Stamboll

Sistemi energjetik i Ukrainës mbetet nën presion të rëndë për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike, deklaroi sot ministri në detyrë i Energjisë, Artem Nekrasov, raporton Anadolu.

Nekrasov u tha gazetarëve gjatë një konference se sulmet gjatë natës kishin në shënjestër rajonin e Dnipropetrovskut, por theksoi se furnizimi me energji elektrike për konsumatorët atje është rikthyer plotësisht. Ai vuri në dukje se punimet emergjente të riparimit po vazhdojnë në rajonin e Odesës pas sulmeve masive të fundjavës, me rreth 32 mijë abonentë që ende presin rikthimin e energjisë elektrike.

Sipas Nekrasovit, granatimet sistematike nga Rusia lënë mesatarisht rreth 400 mijë konsumatorë pa energji elektrike çdo ditë, veçanërisht në rajonet kufitare dhe ato të vijës së frontit. Ai tha se numri i ndërprerjeve luhatet në varësi të intensitetit të sulmeve.

"Rusia vazhdon të godasë centralet elektrike si dhe objektet e transmetimit dhe shpërndarjes, gjë që e ndërlikon dhe e zgjat procesin e rimëkëmbjes", tha Nekrasov duke shtuar se ekipet e riparimit punojnë vazhdimisht për ta mbajtur sistemin nën kontroll.

Ai u bëri thirrje banorëve në rajonet ku ka ndërprerje të energjisë me orare të kursejnë energjinë elektrike, duke i ftuar të kufizojnë përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë dhe nëse është e mundur, të zhvendosin aktivitetet që kërkojnë shumë energji në orët e natës para mesnatës.

Infrastruktura energjetike e Ukrainës është goditur vazhdimisht që nga fillimi i luftës, tashmë drejt vitit të katërt duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe masa emergjente kursimi në gjithë vendin, veçanërisht gjatë periudhave të intensifikimit të sulmeve ndaj objekteve të prodhimit të energjisë dhe rrjetit elektrik.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.